Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka falenderuar homologun grek për bashkëpunimin për kapjen e të arratisurve nga burgu i Drenovës, në Korçë.
“Ngjarja e fundit është një tjetër dëshmi e bashkëpunimit dhe vullnetit për të luftuar krimin ndërkufitar”, është shprehur Tahiri në një letër.
Duke iu drejtuar personalisht homologut Nikos Dendias, Tahiri ka konfirmuar gjithashtu angazhimin e tij për një bashkëpunim edhe më të mirë në të ardhmen.
Aventura e 6 të arratisurve nga burgu i sigurisë së lartë i Drenovës përfundoi mëngjesin e së enjtes, kur ranë në pranga edhe dy te arratisurit e fundit. Eduart Lulo dhe Reiz Haxhiraj u kapën nga policia greke në zonën e pyjeve të Kosturit.
Lulo u kap nga policia helene i fshehur në një kasolle. Ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të lodhjes, motit të keq dhe temperaturave shumë të ulëta në zonën që kishte përshkuar në këmbë.
Ndërsa mbrëmjen e së mërkurës ishte Gëzim Toma që u kap në një pyll pranë kufirit me Shqipërinë. Ishin banorët e zonës, që lajmëruan policinë për praninë e tre personave të armatosur në tokën greke.
Forcat speciale greke e kapën atë lehtësisht pasi u fol se Toma ishte plagosur nga përplasja mes grupit të të arratisurve me policinë helene.
Ndërsa lidhur me arrestimet në tokën shqiptare, kryeministri Edi Rama një ditë më parë u shprehu mirënjohjen dhe falenderimin e tij efektivëve të RENEA-s, për profesionalizmin e treguar në këto operacione.
“Ne nuk do t’ju tradhtojmë kurrë! Ne nuk do t’jua lëmë kurrë shpinën të pambrojtur. Ne nuk do të lejojmë kurrë që të përsëritet tradhtia që në të shkuarën e ka bërë Policinë e Shtetit të dobët, e ka bërë Policinë e Shtetit të pafuqishme”, u tha Rama efektivëve gjatë një vizite në repartin e trupave elitë.
Top Channel