Vazhdon fushata e ndalimeve të sasive kolosale të substancave narkotike pranë Lazaratit, ndërsa policia ndaloi mëngjesin e së premtes një kamionçonë që po transportonte 700 kilogram marijuanë.
Në operacionin e realizuar nga policia e Gjirokastrës, i koduar me emrin “Kamuflimi”, u vendos në pranga drejtuesi i automjetit, Eduard Sako.
Lënda narkotike ishte fshehur në tapicerinë e mjetit.
Ndalimi i kamionçinës u bë pasi ishte furnizuar në fshatin Lazarat dhe po tentonte të dilte në rrugën kombëtare.
Policia kishte disa kohë që vrojtonte lëvizjet e dyshimta të drejtuesit të automjetit.
Besohet se qindra kilogramët e sekuestruar kishin për destinacion final tregun italian.
Në vijim të sezonit të korrjeve në Lazarat, policia është duke sekuestruar sasi kolosale marijuane në dy muajt e fundit, por mbetet e panjohur sasia që ende arrin të eksportohet nga Shqipëria në tregjet europiane.
Dy ditë më parë, dy studentë polakë u vunë në pranga nga Policia e Gjirokastrës, pasi kishin blerë disa kilogramë hashash në Lazarat, me qëllim që t’i merrnin me vete për t’i shitur në Poloni.
Javën e shkuar, autoritetet arritën të ndalonin 2,5 tonë marijuanë brenda një dite të vetme.
Top Channel