Top Story, dritëhijet marrëdhënieve me Greqinë

28/11/2013 00:00

Shqipëria po i afrohet një momenti të rëndësishëm, dhjetorit ku pritet të merret një vendim i rëndësishëm i Parlamentit Europian mbi rekomandimin e Komisionit për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Ky është një moment delikat, për shkak të pritshmërive të Brukselit nga qeveria e re, por ka edhe një kontekst rajonal, fqinjët tanë, Greqia, janë anëtarë të rëndësishëm të Bashkimit Europian dhe prej 1 janarit, për gjashtë muaj do të mbajë Presidencën.

Këto gjashtë muaj mund të jenë vendimtarë, për mirë ose për keq për Shqipërinë. Raportet me Greqinë janë të ndërlikuara. Janë shumë cështje që janë të hapura dhe që kërkojnë zgjidhje. A po i përballemi ne këtyre problemeve dhe sfidave në mënyrën e duhur?

Për t’iu përgjigjur kësaj dhe të tjera pyetjeve mbi integrimin në BE dhe raporteve me Athinën, të ftuar në Top Story-n e kësaj jave më gazetarin Sokol Balla ishin deputeti PS dhe kryetar i Komisionit të Integrimit, Taulant Balla, Aldo Bumçi, deputet i PD, ish-ministri i Jashtëm, i fundit i mazhorancës së djathtë, Tritan Shehu, ish-ministër i Jashtëm në vitet ‘96-’97, pak pas nënshkrimit të traktatit të miqësisë me Greqinë dhe Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm.

Për të kuptuar më mirë qëndrimin e Athinës ndaj Shqipërisë dhe qeverisë së re shqiptare, Top Story solli intervistën e Ministrit të Mbrojtjes së Greqisë dhe një ndër zërat më të fortë të Demokracisë së Re, Dimitris Avramopulos, dhënë për Top Channel gjatë gjatë vizitës zyrtare të fillim-nentorit si pjesë e delegacionit që shoqëronte presidentin Papulias.

Avramopulos për kufirin detar: “Është nënshkruar një marrëveshje dhe vendet gjithmonë respektojnë atë që kanë nënshkruar, firmën e tyre. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, gjykoi ndryshe, ceshtja nuk është mbyllur ende. Ne duam që të zgjidhet kjo ceshtje dhe sigurisht që nuk ndërhyjmë në rendin e brendshëm ligjor të Shqipërisë. Por ajo që del si rezultat i bisedimeve që kemi kryer kohët e fundit, është dëshira e ndërsjelltë që të përcaktohen zonat detare. Dhe nëse në dicka duhet të ekzistojë një përmirësim, ne lidhje me kete marrëveshje e cila ekziston tashmë, atëherë të ulemi dhe ta diskutojmë, por në bazë të kësaj marrëveshje që kemi nënshkruar, duke respektuar gjithmonë firmën dhe nënshkrimin që kemi vendosur. Isha shumë i qartë, nuk është cështje mundësish, por është një përmirësim i marrëveshjes ekzistuese”, tha ai.

Për cështjen e varrezave greke: Që në momentin që nuk kam dijeni për cështjen nuk mund t’ju jap mendimin tim mbi këtë gjë. Të gjitha këto, sigurisht duhet t’i studioj, ose t’i konfirmoj ose t’i hedh poshtë komisioni që është ngritur. Por është hera e parë që unë dëgjoi dicka të tillë.

Për ligjin e luftës: “Ky Ligj Lufte pyesim veten, ku bazohet? Dhe do t’ju them se cfarë nënkuptoj me këtë. Në 1996 Shqipëria dhe Greqia nënshkruan një traktat miqësie. Pra është dicka që bie në kundërshtim me njëra-tjetrën. Nga njëra anë të nënshkruaj dikush një traktat miqësie nëse ekziston një gjendje lufte mes dy vendeve. Së dyti, Greqia ka qenë nga të parat vende që ka ndihmuar Shqipërinë të futet në NATO. Bashkë-ekzistenca jonë në një aleancë, automatikisht lë mënjanë cdo gjë, e cila do të pengonte bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërmjet dy aleatëve. Së treti, në Parlamentin Shqiptar dhe atë Grek ekzistojnë Komisione Parlamentare Miqësie, të gjitha këto së bashku tregojnë dicka, vërtetojnë dicka, se Ligji i Luftës jo vetëm që nuk ekziston më, është hequr, por është shuar fare. Pyetja ime konsiston cilët janë  ata që duan ta riprodhojnë dhe ta risjellin, ndërkohë që ai tashmë vet i përket historisë?”.

Ministri grek i mbrojtjes pyetjes se ky ligj bllokon shqiptarët e çamërisë që të rikthehen tek pronat e tyre, iu përgjigj se të gjithë këta qytetarë që pretendojnë këtë, mund të ankohen tek gjykatat greke, ose akoma më larg, tek gjykatat europiane, ku Greqia merr pjesë.

Avramopulos foli edhe për faktorin shqiptar në Maqedoni: “Elementi shqiptar është edhe shumë i fuqishëm dhe besojmë se funksionon në mënyrë ekuilibruese në gjirin e këtij vendi. Dhe une po ju them se jam takuar me kryetarët e partive shqiptare në Shkup me të gjitha ato karakteristikat që unë kam patur dhe me të gjitha postet që unë kam mbajtur. Edhe me zotin Ahmeti edhe me zotin Besimi. E kam pritur zotin Besimi në Athinë zyrtarisht, në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare edhe zotin Ahmeti dhe nuk ju fsheh se kam pasur përballë meje bashkëbisedues të cilët janë të besueshëm dhe seriozë. Sigurisht nuk diskutojmë thelbin e cështjes sepse këtë rol e ka qeveriae Shkupit”.

Mesazhet e Avramopulos u dukën pozitive, por a kërcënoi Avramopulos me kushtëzimin e integrimit nëse nuk zgjidhen disa cështje që për Athinën konsiderohen të ndjeshme? Për këtë, ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo tha: “Zoti Avramopulos, është një nga politikanët grek më të hapur, kam patur rastin që të njoh dhe të bisedoj hapur me të. Mendoj që sa më shumë politikanë si Avramopulos të ketë Greqia, aq më tepër garanci do të ketë që marrëdhëniet me vendet fqinjte dhe Shqipërinë do të përparojnë. Unë e pashë përgjithësisht intervistën, e dëgjova me shumë kujdes, mund të konstatoj që është një nga intervistat më të mira të përfaqësuesve grekë në raport me Shqipërinë. Është një intervistë e hapur, e ekuilibruar, pasqyron personalitetin e tij. Besoj të qeverisë greke. Ministri i Mbrojtjes nuk mund të flasë me cilësi personale për këto cështje kaq të rëndësishme. Padyshim ai reflekton edhe qëndrimin e qeverisë së tij në marrëdhëniet me Shqipërinë dhe cfarë ka thënë janë edhe pikëpamjet e qeverisë greke mbi marrëdhëniet me Shqipërinë. Unë nuk dua të paragjykoj, por unë besoj që Greqia do të gjejë ekuilibrin e duhur për të trajtuar me kujdes marrëdhëniet me Shqipërinë, me synimin që këto marrëdhënie duhet të zhvillohen më tej nga pikëpamja cilësore dhe Athina ka dhënë mesazhe deri më tani që nuk do të bëhet pengesë për hapjen e negociatave për anëtarësim të plotë dhe do të reflektojë dhe do të ulet në tavolinë me qeverinë shqiptare me vullnet të mirë politik për të gjetur zgjidhje për të gjithë problemet që janë të trashëguara, që vijnë nga historia dhe që duhet të gjejnë një zgjidhje të kënaqëshme duke patur parasysh dy faktorë, historia nuk çbëhet dhe e dyta që në emër të së ardhmes duhet që të dy vendet të heqin dorë nga paragjykimit që janë ushqyer reciprokisht gjatë historisë.

Menjëherë pas nënshkrimit të traktatit të miqësisë me Greqinë, Ministër i Jashtëm i vendit tonë ka qenë Tritan Shehu. Ai traktat vinte pas një periudhe të errët në marrëdhëniet mes dy vendeve. Po a shikon një moderim të qëndrimit grek nga kryediplomati shqiptar i asaj kohe, Tritan Shehu: “Avramopulos në këtë delegacion përfaqësonte nivelin më të lartë të qeverisjes si zv.kryeministër. Ato që tha janë linja zyrtare të qeverisë greke dhe në tërësi mendimi i shtetit grek në lidhje me marrëdhëniet me Shqipërinë dhe padyshim janë pozitive sepse shprehin, sintezën e një rruge zhvillimi të përbashkët, mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në gjithë këto vite, në rrugën e integrimit. Ka patur probleme mes dy vendeve dhe kjo është normale. Problemi vjen nga fqinjët, por edhe zhvillimi vjen nga fqinjët. Përmes problemeve ka ardhur zhvillimi ynë. Greqia ka qenë mbështetje e madhe e jona që në ’90. Ka patur probleme në atë kohë, dyshime dhe paragjykime, por që me shumë mencuri u tejkaluan nga të dyja palët”.

Ministri i fundit i jashtëm i qeverisë së djathtë, Aldo Bumçi tha: “Avramopulos është një dashamirës i forcimit të marrëdhënieve dhe qëndrimi i tij është qëndrimi i qeverisë greke. Është i njëjti qëndrim që qeveria greke ka mbajtur edhe më parë.

Taulant Balla, kryetar i Komisionit të Integrimit dhe i delegacionit shqiptar në PE komentoi: “Cdokush prej nesh, në raste të tilla duhet të zhvishet nga nacionalizmi folklorik që i ka bërë dëm prej vitesh marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, që duhen intensifikuar, por të kemi parasysh që Greqia më 1 janar merr presidencën e BE dhe në mënyrë të vazhdueshme ka mbështetur zgjerimin e BE edhe me këtë pjesë të Europës. Anëtarësimi në BE nënkupton respektimin e institucioneve publike. Ka patur një debat, ka patur një shqetësim edhe nga ana jonë edhe nga ekspertët e PS kur është negociuar marrëveshja e kufijve dhe ne ja drejtuam Gjykatës Kushtetuese. Mendoj që nevoja e një marrëveshje të re është e domosdoshme, duke ndjekur të gjithë modelet dhe të gjitha marrëveshjet e ngjashme të negociuara në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe cështja came, e përfshirë në komunikimin diplomatik të qeverisë së Partisë Socialiste me palën greke. Në vlerësimin tonë cështjet nuk duhet të jenë tabu në diplomaci. Tabutë ndikojnë për keq në mirëkuptimin mes palëve dhe unë mendoj që intervista të tilla duhet të ndiqen me komunikim nga ana jonë me mediat greke. Mbi bazën e dy praktikave të mira që kemi, atë të minoritetit grek në Shqipëri dhe atë të komunitetit shumë të madh shqiptar në Greqi, ne duhet të fillojmë praktika më të mira bashkëpunimi. E rëndësishme është që Greqia duhet të kuptojë që shqiptarët janë partnerë i rëndësishëm në cdo zhvillim rajonal dhe për të gjitha këto cështje, një komunikim shumë i mirë ndërmjet qeverive është shumë i rëndësishëm për të garantuar paqe dhe stabilitet. Komunikim mes të barabartësh”.

Në seancën parlamentare të ditës së mërkurë, ku diskutohej rezoluta për integrimin e paraqitur nga opozita, ish-kryeministri Berisha kritikoi politikën e jashtme të qeverisë së re, dhe sidomos nismën e saj “Zero probleme me fqinjët”. Berisha tha se ka skeptikë në Bruksel dhe në gjitha kancelaritë e tjera europiane, ndërsa shtoi se “Zero problemet me fqinjët”, sipas tij, zerojnë interesin kombëtar.

“Në politikën e jashtme kemi gjetur një emërues të përbashkët politik. Në 2 muaj është shpejt për të thënë, por mund të nisemi nga disa deklarata dhe qëndrime fillestare. Deklarimi i zero problemeve me fqinjët, por lindin dy probleme pse është e nevojshme për qeverinë e re të deklarojnë që do kemi 0 probleme me fqinjët? Mos kemi qenë në strumbullari i problemeve në Ballkan dhe tani deklarojmë që do jemi djem të mirë? Ne s’kemi qenë, por jemi vlerësuar për një politikë shumë konstruktive sa i përket rajonit. Interpretimi i dytë është se ka probleme dhe mund të lindin rrugës, cfarë do bëhet, për hir të zero problemeve do të tërhiqesh. Mendoj që deklarata zero probleme tregon një kompleks inferioriteti”, tha deputeti Bumçi, duke kritikuar edhe përcaktimin e partnerëve strategjikë si të gabuar.

“Ne vlerësojmë se ka qenë e domosdoshme që krahas partneritetit strategjik të vendosur me Italinë dhe Greqinë, për shumë arsye të karakterit ekonomik dhe strategjik të vendosim partneritet strategjik me Turqinë. Mund të ankohemi për vonesën, por jo rëndësinë e këtyre marrëdhënieve me Turqinë. Diplomacia ka në krye të punëve diplomacia ekonomike”, replikoi Balla, duke shtuar se për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, për herë të parë në programin e një qeverie, një kryeministër angazhohet për zgjidhjen e cështjes came në parlament.

“Ka një emërues të përbashkët mes opozitës dhe mazhorancës. Por unë nuk jam dakort kur thuhet se nuk jemi përballur me problemet. Ne i kemi zgjidhur ato se jemi përballur me to, dialoguam me palën greke dhe arritëm të nënshkruajmë traktatin e miqësisë. Nuk i pamë problemet me komplekse, por i pamë realisht”, tha nga ana e tij, Tritan Shehu.

“Në marrëdhëniet me fqinjët, dy grupimet politike kryesore në Shqipëri, politika ka patur një emërues të përbashkët. Në lidhje me Greqinë, jo gjithnjë opinioni publik ka qenë i informuar. Në cilësinë time si politikan mbi 20 e ca vite dhe historianit duhet të jemi shumë transparent për t’i dhënë publikut shumë të vërteta. Cështja came për herë të parë është trajtuar në janar të 1991 për herë të parë nga Ramiz Alia”, tha nga ana e tij, Paskal Milo duke shtuar se në dallim nga të tjerat, qeveria e re shqiptare është më “agresive” në drejtim të Athinës sa i përket cështjes came.

Në pjesën e tretë të Top Story deputeti i PD-së, Aldo Bumçi tha se qeveria e re e Shqipërisë duhet të përfitojë nga avantazhet historike në marrëdhëniet me Greqinë, që është e para ulja si e barabartë në tryezën e bisedimeve dhe në NATO, qytetarët shqiptarë nuk janë më nën pushtetin e vizave, Shqipëria u ruajt nga kriza ekonomike, ndërsa Greqi (edhe për fatin tonë të keq) ra në një krizë të thellë. Të gjitha këto tha Bumçi kanë ndikuar në uljen e asimetrisë së fillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Bumçi tha se për cështjen e pronave çame duhet të njihet mirë ligjet greke dhe ato ndërkombëtare dhe duhet parë mundësia për zgjidhjen e tyre edhe nëpërmjet Strasburgut. Bumçi tha se duhet patur kujdes në marrëdhëniet dhe letrën publike të 23 diplomatëve grekë e cilësoi si një mesazh të tërthortë të Athinës zyrtare karshi Tiranës. “Unë mendoj që politika e jashtme e qeverisë së re, nxiti xhelozi, që shpresoj dhe besoj që duhet të tejkalohen”, tha Bumçi.

“Ne në opozitë jemi të vendosur në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe partnerëve tanë dhe forcimin e rolit si partnerë stabilizues”, tha nga ana e tij, Tritan Shehu.

Nga ana e tij, Paskal Milo tha se qeveria duhet të ketë parasysh faktin që Greqia merr presidencën e BE dhe integrimi është një objektiv madhor, para të cilit cështje të tjera në politikën e jashtme dalin në plan të dytë. Në marrëdhëniet me Greqinë, tha Milo, qeveria e re duhet të ketë parasysh këtë objektiv madhor dhe të trajtojë me kujdesin më të madh këto marrëveshje.

Taulant Balla kërkoi që klasa politike shqiptare të mbajë një qëndrim të unifikuar sa i përket marrëdhënieve me Greqinë. Ai ftoi opozitën që të përdorë Komisionin e Politikës së Jashtme për të adresuar shqetësimet e saj në politikën e jashtme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA