Rama i thotë “JO” armëve kimike

15/11/2013 00:00

“Pamundësia për t’u përfshirë brenda afatit të përcaktuar, edhe të një a dy vendeve të tjera në zinxhirin e operacionit të shkatërrimit të armëve kimike. Nëse disa vende të tjera do të kishin përparuar në kohë për t’u bërë pjesë e operacionit, unë do të isha gati sot t’ju thosha ja plani ynë, ja marrëveshja me partnerët, ja sa pak do rrezikojmë dhe sa shumë do të fitojmë moralisht si komb, po edhe fizikisht si vend, duke u bërë pjesë dhe duke dalë nga kjo përpjekje jo e lehtë, por tërësisht e mundur, më të fortë dhe më të pastër”.

“Dhe vetëm atëherë do të kërkoja mbështetjen e qeverisë dhe votën e
Kuvendit, që do të kishte të gjithë kohën për një debat shtjellues. Po
ashtu, askush këtu, apo nëpër botë, s’do thoshte as pse vetëm Shqipëria
dhe as, fatkeqësisht dhe ky është problemi, që ky operacion kërkon një
vend të varfër e të ndotur si Shqipëria e sotme, sepse kjo nuk është e
vërtet, por do të transformohej në një të vërtet të hidhur për ne. Por,
fatkeqësisht, ky element kaq i rëndësishëm për ju, njësoj si për mua,
sot mungon. Dhe prandaj, me besnikërinë e  plotë ndaj Shqipërisë dhe
respektin më të madh ndaj miqve e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm,
ata e kanë marrë vendimin tim e mësojeni tani edhe ju: Shqipëria e ka të
pamundur të përfshihet në këtë operacion”.

Kjo ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama, pas 28 minuta sqarime për qyetarët shqiptarë, se çfarë i ishte kërkuar nga SHBA. duke shuar kështu ankthin e miliona shqiptarëve. Që në fillim kryeministri tregoi se ishte kontaktuar nga SHBA për të diskutuar në parim dhe se ky ishte një operacion i komplikuar, sa civil aq edhe ushtarak, dhe si i tillë përgatitja e tij nuk mund të jetë subjekt debati publik.

“U kontaktuam drejtëpërdrejtë nga aleati dhe partneri ynë i madh, Shtetet e Bashkuara, për të konsideruar në parim pjesëmarrjen bashkë me vende të tjera në operacionin e shkatërrimit të arsenalit kimik të Sirisë. Po, në parim ne jemi të gatshëm të përfshihemi në këtë operacion si pikë mbështetjeje në Mesdhe, por nuk kemi asnjë kapacitet të brendshëm për të marrë pjesë në të drejtëpërdrejt. Prandaj, gjithçka që lidhet me transportin, teknologjinë, ekspertizën duhet ta marrin përsipër Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera. Siç është plotësisht e natyrshme, na u kërkua konfidencialitet i plotë sepse procesi i organizimit të operacionit ishte vetëm në fazën e vet më fillestare, atë të vendosjes së kontakteve në parim”, theksoi Rama.

Të gjithë këtë situatë, kryeministri e përshkroi si një pjesë të vështirë e të qenit të angazhuar kundër armiqve të njerëzimit dhe në krah të Shteteve të Bashkuara e të vendeve të Aleancës Euro-Atlantike, duke kujtuar kontributin e aleatëve përballë makinerisë vrasëse të Millosheviçit.

“Kjo është pjesa e vështirë e të qenit të angazhuar kundër armiqve të njerëzimit dhe në krah të Shteteve të Bashkuara e vendeve të Aleancës së vendeve Euro-Atlantike. Kjo është pjesa e vështirë e një marrëdhënieje strategjike nga e cila ne, shqiptarët, duhet ta dimë më mirë se shumë të tjerë, që kombet dhe vendet marrin më shumë se ç’janë në gjendje të japin. Sepse tamam kjo, është ajo pjesa e vështirë, pa të cilën sot Sllobodan Miloveshiçi mund të ishte ende në qafën e gjysmës së kombit tonë, ndërsa ne shqiptarët e Shqipërisë s’do ishim jo në NATO, po në asnjë lloj refeneje ndërkombëtare”, nënvizoi Rama.

Kryeministri dha detaje të diskutimeve me ekspertët tanë dhe çfarë garancish kishte marrë nëse demontimi i armëve do të kryhej në Shqipëri.

“Dua t’ju siguroj se në gjithë procesin e diskutimeve intensive të gjithë këtyre javëve ne jemi përqendruar me vëmendje dhe vullnet të madh, përmes një grupi ekspertësh, duke kërkuar nga ekspertiza e partnerëve përgjigje për çdo pyetje të ngritur nga ambientalistët, çdo shqetësim të shprehur nga ju, çdo argument ekspertësh apo pseudoekspertësh, që ngrinin peshë mendjen tuaj nga ekranet dhe faqet e gazetave. Po ashtu, më në fund u mirëkuptuam edhe për kushtin e panegociueshëm të tërheqjes nga Shqipëria, të të gjitha mbetjeve që do të prodhonte faza e dytë e shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë. Sepse, në Shqipëri o miq, nuk do të vinin bombat famëkeqe, të cilat çmontohen në Siri, por vetëm lëndët kimike të nxjerra prej tyre. E thënë thjeshtë, do të vinte baruti, dhe jo fishekët”, tha Rama.

Pjesë e deklaratës ishte edhe sjellja e opozitës për këtë çështje.

“Ashtu siç nuk e mendoja dot se ju, që hodhët verbërisht në erë një copë Shqipërie, duke vrarë 26 shqiptarë të pafajshëm dhe përvëluar qindra familje, do të guxonit të shkonit aq larg, sa të bënit thirrje që të mos na përsëritet Gërdeci! Po pse, Shtetet e Bashkuara e shkaktuan Gërdecin, o “derra të kënaqun” migjenianë, që sot luani rolin e “Sokratëve të përvuejtun”, për këtë popull të cilin e latë rrugëve, mes plehrave, borxheve e përbuzjes së botës? Po pse, biznes për djalin tim dhe për biznesmenët e panginjur të oborrit tuaj është ky operacion humanitar, o ju, që në Gërdec i çmontonit armët me nëna të dëshpëruara e “Lula të vocërr” të varfërisë, që e mbollët si sëmundje rreth Tiranës e në çdo cep të Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama foli edhe për ata mijëra protestues që për disa ditë u mblodhën poshtë zyrës së tij.

“Protesta juaj në rrjetet sociale dhe në rrugët e Tiranës apo Shqipërisë ka qenë e vetmja dallëndyshe e pastër shprese në qiellin e mbushur me tymin e zi të urrejtjes, mllefeve, gënjeshtrave, delireve, frikërave, që shpërthyen në mesin tonë. Ndihem mirë gjithashtu për shumë prindër, që deri dje i frikeshin protestës dhe sot dalin në rrugë me gjithë fëmijët e tyre, të pashqetësuar nga forcat speciale dhe gryka pushkësh në dritaret e Kryeministrisë. Ndihem sinqerisht mirë për këtë erë të freskët demokratike, që u soll bashkë me 23 qershorin. Kam plotësisht respekt për kurajon tuaj dhe njoh jo pak ndër ju, që ishin përditë bashkë me mua deri në 23 qershor, në rrugën e paharrueshme të përpjekjes për Rilindjen, që të ecim më shpejt drejt Shqipërisë që duam”, përfundoi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA