“Rama të flasë, t’i thotë jo armëve kimike”

14/11/2013 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një konferencë për shtyp në orët e mbrëmjes së të enjtes, deklaroi se Partia Demokratike dhe gjithë opozita shqiptare del hapur kundër sjelljes së armëve kimike siriane në Shqipëri dhe i kërkoi kryeministri Rama që sipas tij, të bëjë transparencë para qytetarëve dhe para aleatëve.

“Sjellja e Ramës është e papërgjegjshme. Qytetarët po protestojnë pa dallim politik dhe po kërkojnë transparencë. Kryeministri ka zbarkuar në një zig-zage gënjeshtrash nga njëra anë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe nga ana tjetër ndaj aleatëve. Në këto momente ka zgjedhur të zgjidhë dilemën, të gënjejë aleatët apo të gënjejë qytetarët, jo duke i dhënë fund kësaj, por duke vazhduar të gënjejë të dyja palët. I bëj thirrje në emër të opozitës që t’i japë fund maskaradës, të dalë para qytetarëve kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri. Shqiptarët nuk kanë pse të kalojnë asnjë orë më shumë në ankth”, tha Basha.

Kryetari i PD-së shtoi se opozita mbështet protestën qytetare dhe se tashmë ka nisur dhe do të vazhdojë me hapat institucionalë për të kundërshtuar ardhjen e armëve kimike në Shqipëri.

“Opozita mbështet protestën qytetare, ka qenë dhe do të jetë e pranishme si qytetarë, pranë qytetarëve. Të mos merren vendime që rrezikojnë shëndetin publik dhe sigurinë e tyre. T’i thuhet jo ardhjes së armëve kimike në Shqipëri. Protesta jonë është protestë të qytetarëve shqiptarë dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim. Ndërkohë kemi hedhur të gjithë hapat institucionalë që do t’i ndjekim në ditët e ardhshme. Uroj që edhe ky apel të mos bjerë në vesh të shurdhër. I bëj thirrje Ramës t’i japë fund heshtjes dhe të mbajë një qëndrim të prerë kundër armëve kimike. Të ndalë gënjeshtrën e dyfishtë”, tha Basha.

Partia Demokratike, përmes deputetit Eduart Halimi dorëzoi në mesditë në Kuvend kërkesën për referendum popullor kundër armëve kimike.

Kryetari i opozites Lulzim Basha qe beri publik vendimin e grupit parlamentar per te depozituar kerkesen per referendum.

“Për një javë me radhë injoroi zërin e opozitës. Injoroi zërin e qytetarëve të këtij vendi. Të mbarë popullit. Tani është radha jonë t’i bëjmë me dije këtij Kryeministri që ka vendosur të sillet me standardin arbitrar dhe arrogant të një satrapi oriental. Partia Demokratike është e vendosur të ndalojë me çdo çmim papërgjshmërinë tënde ndaj qytetarëve shqiptarë. Partia Demokratike depoziton sot në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për mbajtjen e një referendumi popullor për çeshtjen e armëve kimike. Për këtë çështje kaq jetike duhet dhe do të vendosë  populli sovran”, u shpreh Basha.

Kur kerkesa per refendum behet nga nje e pesta e deputeteve, procedurat jane me te shpejta, sepse shmanget mbledhja e firmave, por qe kjo te ndodhe, duhet qe kerkesa per referendum te miratohet nga shumica e anetareve te Parlamentit. Derisa situata per kete pike te sqarohet, opozita do te ndermarre nje veprim tjeter, duke thirrur ne debat parlamentar kryeministrin Edi Rama.

“Dua të garantoj sot çdo shqiptar, mbështetës apo jo të Partisë Demokratike se për ne zëri juaj, vullneti juaj është gjëja më e shtrenjtë. Se në përmbushje të detyrimeve tona si opozitë  jemi të vendosur që bashkë me ju të bëhemi një barrierë e pakapërcyeshme  për paligjmërinë, arbitraritetit dhe papërgjegjshmërinë e qeveritare.  Bashkë me kërkesën për referendum, grupi ynë parlamentar do të depozitojë sot edhe kërkesën për mocion me debat me kryeministrin e pasinqertë, mashtrues e turbullues të opinionit publik, për ta detyruar të japë shpjegime para publikut për këtë aferë të armëve kimike, që jo vetëm ua ka bërë gjakun ujë shqiptarëve, por ka ardhur edhe si një investim shumë negativ për imazhin e vendit në tërësi”, tha Basha.

Top Channel