Malltezi-Balla, gjykata rrëzon padinë

13/11/2013 00:00

Në seancën e 23-të gjyqësore, gjykata civile e Tiranës rrëzoi kërkesë-padinë e familjarëve të Jamarbër Malltezit, dhëndër i ish-kryeministrit Sali Berisha, lidhur me deklaratat e deputetit Taulant Balla për privatizimin e pronave të Sport Klub Partizanit.

Gjyqtari Ilir Çeliku deklaroi se këto pretendime janë të pabazuara e për këtë padia për shpifje rrëzohet. 11 të afërm të Malltezit kërkuan nga gjykata civile 100 milionë lekë dëmshpërblim nga deputeti socialist gjatë një procesi që nisi në fund të dhjetorit 2012, kërkesë kjo që nuk u pranua nga gjyqësori.

Pas këtij vendimi ka reaguar menjëherë deputeti Taulant Balla, i cili deklaroi se ky vendim i gjykates i hap rrugë një hetimi të plotë të privatizimit të Sport Klub Partizanit dhe të pronave të tjera të ushtrisë shqiptare të shitura me vlera qesharake.

Balla i bëri thirrje prokurorit të përgjithshëm që të fillojë menjëherë hetimet për këtë çështje. “Provat tona të cilat ia paraqitëm gjykatës janë të plota dhe tregojnë qartë abuzimet”, e mbyll deklaratën e tij deputeti socialist Balla.

Top Channel