Fyle: Fillimi i dialogut, i shkëlqyer

12/11/2013 00:00

Ajo çfarë u diskutua nga  një pjesë e kabinetit qeveritar, përfshi kryetaren e Komisionit Parlamentar të Integrimit, Majlinda Bregu në dialogun e nivelit të lartë mes qeverisë shqiptare dhe Komisionit Europian, ka marrë nota vlerësuese nga Komisioneri  Stafan Fyle, bashkëdrejtues i këtij dialogu me kryeministrin Edi Rama.

Gjatë një konference shtypi Fyle  deklaroi se ai largohej nga Tirana duke marrë me vete informacione të vlefshme të cilat do t’i dërgohen vendeve anëtare të BE-së për punën e deritanishme në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Në fakt, më duhet të them që unë prisja të kishim diskutime të mira, një fillim të mirë apo të mbarë, por ajo që pashë është se kemi patur një fillim të shkëlqyer, kemi patur diskutime të shkëlqyera me pjesëmarrjen e të gjithë atyre që ishin të pranishëm. Në fakt kemi shpenzuar rreth tre orë për sa i përket thelbit, por edhe formatit të gjërave që kemi diskutuar, por po ashtu kemi nxjerrë edhe disa përfundime të përbashkëta. Unë kam vlerësuar në mënyrë specifike dhe të veçantë informacionin tejet të detajuar që na është dhënë për sa i përket veprimeve të qeverisë shqiptare për luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër korrupsionit. Dhe kemi thënë që Shqipëria dhe qeveria duhet të vazhdojë përpjekjet e saj, për të siguruar që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ta mirëpresin plotësisht dhe, madje, ta marrin përsipër pikërisht këtë ide, për dhënien e statusit të vendit kandidat”, tha Komisioneri Fyle.

Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaroi se përpjekjet e qeverisë për të përmbushur pesë kërkesat e Komisionit Europian nuk janë nje provim për statusin, por për të forcuar në Shqipëri rendin ligjor, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Besoj që ky sesion i parë i dialogut në nivel të lartë ka shënuar një moment shumë të rëndësishëm dhe njëkohësisht ishte për ne një hapësirë e munguar për të adresuar çështjet e rëndësisë së veçantë, më pak se sa për të çuar përpara një proces që tanimë vjen edhe në vazhdim të publikimit të progres-raportit dhe të rekomandimit të Komisionit ndaj vendeve anëtare për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit”, tha Rama.

I pytetur nga Top-Channel nëse përpjekjet e deritanishme në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar janë të mjaftueshme për të shuar cdo skepticizëm të mundshëm nga vëndet anëtare, skepticizëm i cili mund të përkthehet në votë kundra, komisioneri Fyle dha këtë përgjigje.

“Pas takimit të sotëm mund të them se jemi akoma edhe më të vendosur për propozimin që kemi bërë. Varet nga shtetet anëtare, duke u bazuar nga ky informacion apo një informacion tjetër që ata mund të kenë, për të marrë një vendim për këtë çështje. Përpara se të merret ai vendim ne do të kemi mundësinë që të ndajmë me shtetet anëtare substancën e gjërave që ne kemi diskutuar edhe sot në këtë takim, por për të marrë këtë vendim kjo është përgjegjësia e shteteve anëtare të Bashkimit Europian”, u shpreh Fyle.

Deri në progres-raportin e vitit të ardhshëm në kuadër të dialogut të nivelit të lartë BE-së Shqipëria do të këtë edhe katër takime të tjera.

Top Channel