
Ditari i 23 Qershorit. Kështu e ka titulluar Alfred Peza librin e tij të parë që mesa duket do të shërbejë si kufiri ndarës ndërmjet fundit të karrierës si gazetar dhe fillimit të një tjetër karriere, asaj politike.
“Historia e një gazetari të njohur, i cili për arsyet e veta vendos që të bëhet politikan. Kjo është pak a shumë ajo që ka dashur të thotë Alfred Peza me shumë sinqeritet dhe zotësi”, shprehet publicisti Ben Blushi.
Ka qenë fushata elektorale që Peza zhvilloi në Peqin, në qytetin e tij të lindjes, ajo që e frymëzoi për ta hedhur më pas gjithçka në radhët e këtij libri.
Peza tregon se më tepër këtë libër ia dedikon mënyrës sesi qeverisi Berisha dhe si e la qyetin e tij të lindjes: “Jeta është e çuditshme. Të ndodh që të punosh me letra për 20 vjet dhe të mos shkruash asnjë libër dhe 18 javë pasi je futur në zanat tjetër, bën veprën e parë të madhe publicistike.”
Miq, të afërm, kolegë dhe politikanë kanë marrë pjesë në përurimin e “Ditarit të 23 Qershorit” të Alfred Pezës.
Botuesi Henri Cili tha: “Ky libër paraqet një specifikë: është kufiri ndarës mes profesionit të gazetarit dhe profesionit të ri të politikanit që Alfred Peza duket se e ka filluar me shumë seriozitet.”
Top Channel