
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka deklaroi të martën se çdo vendim i
qeverisë shqiptare lidhur me çështjen e armëve kimike siriane do të jetë
vetëm në të mirë të qytetarëve shqiptarë.
Koka ka kërkuar që kjo çështje të mos politizohet dhe ka nënvizuar faktin se pavarësisht se çështja është mediatizuar në maksimum, nuk ka end asnjë lloj vendimmarrjeje nga ana e qeverisë për këtë fakt. Gjithçka sipas tij do të bëhet transparente dhe do të diskutohet në qeveri dhe parlament.
“Unë do të kërkoja mirëkuptimin tuaj. Analistët dhe vetë mediat kanë shkruar shumë më parë sesa vendimi i marrë nga qeveria. Qeveria shqiptare është po aq e përgjegjshme sa të gjithë qytetarët shqiptarë. Çdo qytetar flet për dëmin që mund t’i krijohet vendit dhe të ardhmes që fëmijëve tanë. Ju garantoj që edhe e ardhmja e politikanëve shqiptarë është në Shqipëri. Ne jemi të zgjedhur nga qytetarët shqiptarë dhe vendimet tona do të përkojnë me të ardhmen e sigurt të Shqipërisë. Ne jemi një fazë kur kryeministri ka zhvilluar vetëm një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të shtetit. Ne nuk e dimë akoma nëse ato janë armë kimike apo lëndë kimike, si mund të trajtohen dhe ç’dëm mund të sjellin. Kjo është një çështje që të diskutohet në qeveri dhe në parlament. Do të doja që gjërat të mos politizohen”, tha Koka.
Top Channel