Armët kimike siriane në Shqipëri

10/11/2013 00:00

Krerët më të lartë të mazhorancës patën një takim informal me ambasadorin e SHBA-së, Aleksander Arvizu, menjëherë pas ceremonisë së nderimit të ushtarëve anglezë në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në ditën e Kujtesës.

Kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ishin në takimin me diplomatin e Uashingtonit, në të cilin mendohet të jetë folur për çështjen më mediatike në vend të ditëve të fundit, atë të mundësisë së shkatërrimit të armëve kimike.

Në Sheraton ata janë takuar larg pranisë së medias. Pas këtij takimi, kreu i Kuvendit deklaroi se mes tyre ishte folur për çështje të ndryshme. Meta nuk ka hezituar të flasë për operacionin e shkatërrimit të armëve siriane, ku përsëriti të njëjtat deklarata të bëra tre ditë më parë në “Top Story”.

“Shqipëria do të mbajë përgjegjësi aq sa i takon të mbajë për këtë çështje dhe aq sa mbajnë supet e saj”, ripohoi kreu i Kuvendit, duke e cilësuar këtë si mendimin e tij. Meta mohoi se ka mungesë transparence në këtë debat, duke i siguruar shqiptarët se gjithçka do të diskutohet dhe vendoset me transparencë të plotë.

Basha, për armët kimike
Kreu i PD: Qeveria refuzon të bëjë transparencë

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka reaguan nëpërmjet Facebook në lidhje me votën e lirë; për të cilën njoftoi më herët gjatë ditës rreth një proteste apo marshimi popullor ditën e hënë, ora 14:00; si dhe për armët kimike të Sirisë.

Në postimin e tij, Basha ka shkruar se “vetëm vota e lirë garanton transparencën dhe llogaridhënien e pushtetit, dy gjëra që s’mund të garantohen pa të parën. Pa votë të lirë ka vetëm arbitraritet dhe arrogancë”.

Sa i përket armëve kimike, që mund të importohen për demontim nga Siria, Basha është shprehur se “heshtja e qeverisë për armët kimike është arrogancë dhe arbitraritet”. Sipas tij, “qeveria hesht dhe refuzon të bëjë transparencën, sepse nuk i trembet gjykimit të drejtë të popullit, e kjo sepse mendon që kur të vijë dita e gjykimit me votë, ajo mund ta blejë atë me 2 mijë lekë”.

Kreu i PD ka ritheksuar rëndësinë, sipas tij, “për t’u ngritur të gjithë bashkë, për t’i thënë ndal arbitraritetit dhe arrogancës, për t’i thënë ndal heshtjes për armët kimike, mosllogaridhënies dhe papërgjegjshmërisë”. Dhe, e gjitha kjo – thekson Basha, “bëhet për të drejtat tona themelore, për të drejtën e votës së lirë, për dinjitetin tonë”.

Top Channel