PD, tryezë konsultative me biznesin

08/11/2013 00:00

Partia Demokratike organizoi një takim konsultativ me biznesin për sfidat e ekonomisë përballë vendimeve të qeverisë, që sipas opozitës ulin nivelin e mbledhjes së të ardhurave dhe rrisin borxhin publik.

Kryetari demokrat, Lulzim Basha tha se akti normativ i buxhetit sjell pasoja të rënda për mirëqënien e çdo shqiptari.

Zoti Basha e konsideroi një faktor rreziku për ekonominë panikun dhe pesimizmin që qeveria ka përhapur në çdo deklaratë apo takim të zhvilluar, ndërsa realiteti, sipas tij, është faktuar krejt i ndryshëm nga të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe vetë qeveria.

Kryetari i Partisë Demokratike kërkoi bashkëpunimin e përfaqësuesve të biznesit që të bashkëpunojnë me Partinë Demokratike për të mundësuar një ndikim të mjaftueshëm që forcon biznesin, rrit ekonominë dhe siguron mirëqënie për qytetarët.

Opozita po kërkon opinione nga biznesi në prag të hartimit nga qeveria të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm.

“Synimi i Partisë Demokratike është që së bashku me biznesin t’i bëhet rezistence fenomenit të klientelizmit dhe korrupsionit, që qeveria do të përpiqet t’i ligjërojë në projektbuxhetin e vitit 2014”, tha zoti Basha.

Top Channel