Toronto, Ford nën presion për dorëheqje

07/11/2013 00:00

Kryetari i bashkisë së Torontos është përballur me protestues të
indinjuar dhe me një rritje të thirrjeve për dorëheqje kur ka mbërritur
në punë një ditë pasi pranoi se kishte konsumuar kokainë.

Një nga ndihmësit politikë më të hershëm të kryetarit Rob Ford dha dorëheqjen të mërkurën, largimi i radhës në një seri dorëheqjesh që prej muajit maj.

Ndërkohë, edhe aleatët e zotit Ford në këshillin bashkiak të qytetit thonë se kanë humbur besimin tek ai. Autoritetet në qytetin më të madh të Kanadasë nuk mund ta shkarkojnë zotin Ford, përveç rastit nëse ai dënohet për një krim.

Mbi 200 demonstrues ishin mbledhur jashtë selisë së bashkisë kur zoti Ford mbërriti në punë të mërkurën, kur dhe u detyrua të hynte në zyrë nga një portë dytësore.

Këshilltari James Pasternak thotë se ai dhe shumë kolegë të tij po i kërkojnë nënkryetarit Norm Kelly që të bindë Ford për dorëheqjen, me shpresën e një “largimi dinjitoz”.

Edhe këshilltarja Janet Davis tha se kryetari ka refuzuar në mënyrë kategorike të dëgjojë këdo që i sugjeron të tërhiqet. “Kryetari duhet të arrijë vetë në përfundimin se duhet të tërhiqet”, tha Davis të mërkurën.

Kryeministrja e Ontarios, Kathleen Wynne ka shprehur shqetësimin e saj për çështjet personale të zotit Ford, por ngurroi t’i bënte thirrje atij për dorëheqje.

Këshilltari tjetër Denzil Minnan Wong, një nga njerëzit më të afërt të kryetarit, ka propozuar një mocion duke kërkuar që zoti Ford të largohet në mungesë.

Ai shprehet i vetëdijshëm se ky është një veprim simbolik, por vlerëson se gjëja e duhur për këshillin është që të marrë një qëndrim konkret e të qartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB