Vatikani, pyetësor mbi temat tabu

05/11/2013 15:35

Vatikani nisi një sondazh të thelluar ndërkombëtar për të zbuluar se çfarë mendojnë realisht katolikët nga mësimet e fesë mbi martesën dhe familjen, raportuan mediat ndërkombëtare të martën.

Në bazë të përfundimeve të kësaj ankete, Papa Françesku do të grumbullojë një këshill kardinalësh në Selinë e Shenjtë në Tetor 2014, për të biseduar mundësinë e reformimit të kishës, për t’iu përshtatur me mirë realitetit të jetës së sotme shoqërore.

Pyetësori është i fokusuar në pikëpamjet e katolikëve mbi përdorimin e prezervativëve, mbi bashkëjetesën, mbi abortin dhe martesat homoseksuale.

Sipas analistëve, kjo është një lëvizje pozitive, e cila tregon se Vatikani po përpiqet të analizojë më mirë çështje të konsideruara deri më tani si tabu.

“Kriza shoqërore dhe shpirtërore, gjithmonë e më e qartë në ditët e sotme, po shndërrohet në një sfidë të veçantë për kishën dhe misionin e saj në lidhje me mbrojtjen e familjes”, shkruante Vatikani në parathënien e anketimit.

“Midis situatave të reja që kanë nevojë për vëmendjen e kishës përfshihen familjet me një prind, martesat midis partnerëve të besimeve të ndryshme dhe divorci”, shkruhej më tej.

Pavarësisht presionit në rritje, Vatikani vazhdon të jetë deri më tani një kundërshtar i ashpër i divorcit, përdorimit të metodave të parandalimit të shtatzanisë apo martesave të së njëjtit seks dhe pavarësisht studimit, me Papa Françeskun që ka kundërshtuar personalisht këto fenomene, pak pritet të ndryshojë në qëndrimin e Selisë së Shenjtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA