I dërguari i Ligës Arabe për Sirinë, Lakdar Brahimi, njoftoi se konferenca e paqes, që ai kishte shpresuar shumë fort të mbahej këtë muaj në Gjenevë, është shtyrë për më vonë.
Unë vetë do të vazhdoj përpjekjet, që të kemi një samit deri në fund të vitit, sqaroi diplomati që nuk ka mundur, megjithatë, të japë një datë të qartë për eventin.
Përpjekjet për organizimin e konferencës vazhdonin prej muajsh, mes përplasjeve të shumta mbi axhendën e saj dhe pjesëmarrjen. Brahimi do të takohet përsëri me diplomatë amerikanë dhe rusë në 25 nëntor.
Bisedimet e Gjenevës nuk përfshijnë vetëm Ëashington-in dhe Moskën, por edhe tre anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit: Britaninë, Francën dhe Kinën, si dhe vendet fqinje të Sirisë: Libanin, Jordaninë, Irakun e Turqinë.
Sipas të dërguarit të Ligës Arabe, gjatë diskutimeve të së martës nuk pati asnjë zhvillim dramatik dhe dështimi i përcaktimit të një date për konferencën e paqes ishte diçka që pritej prej javësh.
Ideja e një takimi të tillë u përvijua, fillimisht në muajin gusht dhe në shtator, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon njoftoi se do të ketë një tentativë për caktimin e datës në nëntor.
Sipas Brahimit, shefi i Kombeve të Bashkuara e pret me padurim zhvillimin e konferencës dhe kujton sa shumë është rënduar situata në Siri, ku nga vendi largohen çdo ditë rreth 6.000 vetë.
Top Channel