Siri, vritet në luftime gjenerali iranian

05/11/2013 16:25

U mbajt këtë të martë në Iran funerali i një gjenerali të Gardës Revolucionare, i cili u vra në luftimet me forcat kryengritëse në Siri.

Gjenerali i Brigadës, Mohammed Jamali-Paqaleh u shoqërua me nderime të plota ushtarake në banesën e fundit, në qytetin e Kermanit.

Ai kishte dalë vullnetar për “të mbrojtur popullin mik të Sirisë kundër terroristëve”, një zhargon i përdorur nga qeveria e Bashar al-Assad për të përshkruar rebelët.

Irani mohon zyrtarisht përfshirjen në luftën civile siriane dhe vdekja e gjeneralit u raportua si “aksidentale”.

Megjithatë, raportime të shumta flasin se Teherani i ka ofruar al-Assadit jo vetëm ndihmë logjistike, por edhe nëpërmjet trupave të zgjedhura që luftojnë për të mbajtur në këmbë regjimin e vrasja e gjeneralit në luftime përbën një provë të qartë për nivelin e përfshirjes deri në nivelet më të larta drejtuese.

Lufta civile në Siri, e nisur në Mars 2011, i ka marrë jetën zyrtarisht mbi 110 mijë personave, midis të cilëve janë raportuar zyrtarisht edhe vdekjet e 16 iranianëve, por që në të vërtetë besohet të jenë deri në disa qindra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA