SHBA, Senati mbështet “Enda”-n për gay-t

05/11/2013 00:00

Një projektligj, i cili ndalon diskriminimin në vendet e punës ndaj personave të komunitetit LGBT ka kaluar provën kritike, duke marrë mbështetjen në Senatin amerikan, 17 vjet pasi një projektligj i ngjashëm dështoi të kalonte për vetëm 1 votë.

Senati i udhëhequr nga demokratët votoi 61-30 për të nisur debatin mbi legjislacionin, teksa mbështetje kanë dhënë edhe disa republikanë. Projektligji pritet të fitojë aprovimin përfundimtar brenda kësaj jave.

Shtëpia e Bardhë mbështet fuqimisht këtë masë, por e ardhmja e saj në Dhomën e Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët mbetet e paqartë.

Senati refuzoi një projektligj të ngjashëm në vitin 1996, me vetëm 1 votë diferencë. Por, të hënën, Akti për Mos Diskriminimin në Punësim, apo i njohur si “ENDA”, mori mbështetje bipartizane dhe arriti deri në 60 vota pro, pragu i nevojshëm për të kapërcyer një bllokadë proceduriale të ngritur nga kundërshtarët republikanë.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, kreu i saj John Boehner, një senator republikan, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj projektligjit, duke thënë se ai mund të çojë drejt padive gjyqësore dhe pengimin e krijimit të vendeve të reja të punës.

Legjislacioni i propozuar ndalon punëdhënësit me 15 ose më shumë të punësuar të marrin vendime punësimi – emërime, shkarkime apo kompensime – bazuar mbi orientimin seksual apo identitetit gjinor.

Presidenti Barack Obama ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për këtë masë, 3 vjet pasi Kongresi hoqi ndalimin e shërbyesve homoseksualë të deklaruar në ushtrinë amerikane, si dhe disa muaj pasi Gjykata Supreme në SHBA hodhi poshtë një ligj federal që ndalonte njohjen federale të martesave të të njëjtit seks.

Top Channel