Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh lideri i opozitës, Lulzim
Basha, priti në një takim presidentin e Greqisë, Karolos Papulias.

Gjatë takimit Basha ka kërkuar mbështetjen e Greqisë e cila merr presidencën e radhës së BE-së, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014, për hapjen e negociatave, duke shprehur angazhimin e opozitës, për të dhënë kontributin e saj për marrjen e statusit në dhjetor dhe për hapjen e shpejtë të negociatave për anëtarësim.

Presidenti grek, Papulias ka theksuar se viti 2014 është mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi Greqia dhe Italia marrin njëra pas tjetrës presidencën e BE. “Ne do t’ju mbështesim, me shpresën që procesi i integrimit europian i Shqipërisë të ecë përpara, gjatë presidencës sonë”,- theksoi presidenti grek Papulias.

Basha përsëriti kërkesën për anulimin e ligjit të luftës dhe zgjidhjen e problemit të toponimeve. “Ligji i luftës nuk duhet të ekzistojë, jo vetëm se Shqipëria dhe Greqia janë dy popuj miq, 2 vende anëtare të NATO-s por krijon një perceptim të gabuar për marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe për shkak të problemeve që hap në lidhje me sekuestron konservative të pronave të qytetarëve shqiptarë, veçanërisht atyre çamë”,-deklaroi Basha.

Presidenti grek Papulias ka vlerësuar si të guximshme dhe në drejtimin e duhur, marrëveshjen Prishtinë-Beograd. “Çuarja përpara e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të detyrojë dhe 5 vende anëtare të BE, mes të cilave dhe Greqia, të cilat ende s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, t’i përshtaten realitetit të ri”- theksoi presidenti Papulias.

Top Channel