India në garën për pushtimin e hapësirës

05/11/2013 00:00

India lëshoi me sukses në hapësirë një sondë drejt Marsit, me ambicien për t’u bërë agjencia e katërt hapësinore në botë që do të studiojë Planetin e Kuq.

Nisja u krye nga baza hapësinore “Satish Dhavan” në brigjet lindore të Indisë. Kreu i Agjencisë Hapësinore indiane tha për BBC se misioni do të tregojë aftësitë teknologjike të vendit të tij për të ndërmarrë përsipër misione për arritjen në orbitën e Marsit dhe kryerjen e eksperimenteve atje.

Nëse gjithcka shkon sipas parashikimeve, sonda hapësinore do të udhëtojë për 300 ditë në hapësirë për të mbërritur në orbitën e Planetit të Kuq shtatorin e vitit 2014 dhe nëse kjo arrihet, Agjencia Indiane e Hapësirës shndërrohet në agjencinë e katërt që ndërmerr me sukses mision në Mars, pas NASA-s në Shtetet e Bashkuara, Rusisë dhe ESA-s së Bashkimit Europian.

Analistë të marrëdhënieve gjeo-politike në Azi deklarojnë se më shumë se sa një mision i domosdoshëm për Indinë, lëshimi i sondës indiane është një sfidë ndaj Kinës, Koresë së Jugut dhe Japonisë në garën hapësinore.

Megjithatë, risia në sondën indiane do të jetë teknologjia që do të shfrytëzohet për gjetjen e gjurmëve të gazit metan në atmosferën marsiane, që “Curiosity” i NASA-s dështoi ta realizonte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB