Komisioni Europian bëri të ditur se ekonomia e kontinentit ka arritur një “pikë kthese”, por shtoi se Eurozona po rritet më ngadalë nga sa parashikohej, në një raport të publikuar këtë të martë.
Komisioni deklaroi se “ka shenja shprese, që trajektorja e përgjithshme e ekonomisë është duke u kthyer drejt pozitivitetit”.
Pavarësisht kësaj, në 18 vendet që përdorin monedhën e përbashkët euro, rritja e përgjithshme për vitin e ardhshëm pritet të jetë prej 1,1% e PBB-së, nga 1,4% që ishte objektivi i mëparshëm.
Komisioni pret që në vitin 2015 rritja të rifitojë shpejtësi, duke shkuar në 1,7%, ndërsa për të gjithë Bashkimin Europian në tërësi, pritet që rritja të shkojë 1,4% në vitin e ardhshëm dhe 1,9% në 2015-n.
Pavarësisht këtyre të dhënave që flasin se pjesa më e rëndë e krizës është lënë pas, papunësia do të vazhdojë të jetë e pandryshueshme në një kohë afatshkurtër, me një total prej 11,1% të forcës aktive të punës europiane.
Midis vendeve përkatëse, është Britania e Madhe ajo që ka regjistruar rezultatet më premtuese, me rritjen për 2013-n që është vendosur në parashikimin e 1,3% nga 0,6% që besohej më parë dhe në 2,2% për 2014-n.
Top Channel