Irani paralajmëron Izraelin dhe aleatët e tij: Çdo sulm ndaj diplomatëve në Liban do të ketë pasoja hakmarrëse
Në fundjavë policia gjermane publikoi rezultatin e një hetimi më shumë se 1-vjeçar për gjetjen dhe rivënien nën kontroll të më shumë se 1400 vepra të artit të punuara nga autorë më me zë të shekullit të kaluar.
Veprat e sekuestruara, kryesisht piktura mendohet se i përkisnin koleksionit personal të Adolf Hitlerit. Gjatë një ekspozimi në Munih, autoritetet gjermane thanë të martën se mes 1400 veprave të shumëvlerësuara ka krijime autorë të tillë si Renoir, Picasso, Chagall apo Toulouse-Lautrec, madje njëra prej tyre është një vepër e Chagall e panjohur më parë.
I gjithë koleksioni i veprave të artit është sekuestruar nga koleksionistë privatë apo institucione. Hetuesit gjermanë thanë se cështja e pronësisë së tyre është ende duke u sqaruar.
Vlera totale e gjithë koleksionit të veprave shkon përtej 1 miliard eurove. Reinhard Nemetz, kreu i grupit të hetimit që ndërmori operacionin tha se vetëm në apartamentin e Cornelius Gurlitt në Mynih ishin gjetur 121 punime të përfunduara.
Për momentin nuk është ende e qartë nëse ka shkelje ligjore nga ana e zotëruesit të tyre, ndërsa specialistët që kanë marrë në dorëzim veprat e artit thanë se disa prej tyre ishin të ndotura, por të padëmtuara.
“Kur qëndron përpara këtyre punimeve të zhdukura prej shumë kohës, që ne mendonim se ishin shkatërruar, kur i sheh ato në gjendje të mirë, është një ndjenjë e papërshkrueshnme. Pikturat janë të një vlere të pamasë për ekspertët e artit dhe shumë punime kanë qenë të panjohura deri më tani për ne”, thotë Meike Hoffmann, ekspert arti.
Pikturat u sekuestruan në mars të vitit të kaluar pas hetimeve për evazion fiskal ndaj Cornelius Gurlitt, i biri i një koleksionuesi veprash arti.
Ndaj Gurlitt kanë nisur hetimet, por prokurorët gjermanë thonë se është e vështirë që ndaj tij të ngrenë një akuzë që të justifikonte arrestimin apo mbajtjen nën masë sigurie.
Foto e vitit 1935. Hitleri gjate inspektimit te veprave te artit te sekuestruara nga nazistet
Top Channel