Estonia me një popullsi pak më shumë se 1 milionë banorë, vendi ku u shpik Skype, një prej platformave më masive të komunikimit, kërkon intensifikimin e mardhënieve me Shqipërinë.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të mira, por ekzistojnë mundësitë që ato të zgjerohen.” Kështu deklaron në një intervistë për Top Channel ambasadori i Estonisë në Greqi, Margus Rava, i cili mbulon edhe vendin tonë.

Ambasadori Rava thotë se dy vendet tona janë të vogla në dy pika të ndryshme të Europës dhe kjo bën që estonezët apo shqiptarët të mos dinë shumë për njëri-tjetrin dhe që kjo të ndryshojë ambasadori sugjeron se mbetet punë për t’u bërë në mënyrë që kontaktet mes njerëzve të dy vendeve të shtohen.

Si një nga anëtarët e Bashkimit Europian, Estonia bën pjesë tek vendet skeptike për të votuar marrjen e statusit për Shqipërinë.

“Ajo çfarë mund t’ju them është se zyrtarët, kolegët tanë në Talin, janë duke e studiuar analizën se çfarë thotë Komisioni Europian, më pas ne do të vendosim për të qënë gati për vendimin që do të merret në mbledhjen e dhjetorit. Për momentin ne nuk e kemi marrë ende një vendim. Në tërësi Estonia është një vend pro politikave të zgjerimit të BE-së pasi këto politika kanë rezultuar efektive dhe duhet të vijojnë. Ato vende të cilat kanë demostruar një progres të qartë në përpjekjet e tyre për të arritur vlerat europiane duhet të marrin mundësinë në ndërmarrjen e hapave të tjerë drejtë BE-së. Në këtë këndvështrim, ne jemi duke e parë progres-raportin dhe rekomandimin e Komisionit për Shqipërinë e për të vendosur më pas nëse vendi juaj ka bërë progresin e nevojshëm që do të na lejojë të votojmë në favor të marrjes së statusit të vendit kandidat”, theksoi ambasadori Rava.

Ekzistojnë mundësi të mira, shprehet ambasadori, që bashkëpunimi ekonomik i deritanishëm me Shqipërinë, kryesisht në atë që njihet si E-government, informatikë dhe bashkëpunim për çështje që lidhen me sigurinë e kufinjve, të shtrihet edhe në fusha të tjera.

Top Channel