PD: Të anulohen zgjedhjet në Korçë

04/11/2013 22:40

Pas transmetimit të pamjeve në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku tregohej se si studentët pagueshin për të votuar në zgjedhjet e kësaj të diele në Korçë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike.

“Fakte tronditëse dolën sot në mbrëmje në sytë e gjithë shqiptarëve për manipulimin e paturpshëm të votimit në Korçë, për blerjen e zgjedhjeve, për shkeljen e ligjit dhe Kodit Zgjedhor. E gjithë Shqipëria pa me sy dhe dëgjoi me veshë se si zyrat e PS në Korçë paguanin ditën me diell, 2 mijë lekë për çdo votë, njësoj si më 23 qershor. Ky denoncim dhe pohimi me zë në zyrat e PS në Korçë është tregues tronditës se kjo metodë e PS dhe klientëve të saj financues të fushatës u përdorën edhe në zgjedhjet e 23 qershorit”, tha Eduard Halimi.

Sipas Halimit, në zgjedhjet e Korçës u shënua rekordi i mospjesëmarrjes, si protestë e heshtur e qytetarëve. Ish-ministri i Drejtësisë tha se blerja e votës është shkelja më e rëndë e ligjit, ndaj edhe kërkoi hetime.

“PD i kërkon Prokurorisë që të nisë menjëherë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Të sekuestrojë menjëherë të gjithë regjistrat dhe dokumentacionet që u panë me sy nga të gjithë shqiptarët në zyrat e PS në Korçë dhe të kërkojë ndëshkimin më të ashpër ndaj të gjithë ekzekutorëve, organizatorëve, urdhëruesve, përfituesve dhe financuesve të këtij akti të rëndë. PD kërkon anulimin e zgjedhjeve në Korçë dhe përsëritjen e tyre me kusht që të ofrohen garanci nga vëzhguesit që Rama dhe të tijtë të heqin dorë nga zakoni i blerjes së votës siç u pa sot qartë nga të gjithë shqiptarët”, u shpreh Halimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA