Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në një deklaratë për mediat pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, ka njoftuar se Sotiraq Filo ka fituar zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Korçës.
Kandidati i Partisë Socialiste ka marrë 15973 vota, ndërsa Sotiraq Stratobërdha i Partisë Demokratike ka marrë 5283 vota.
Të dielën u votua edhe për kreun e komunës Karbunarë, ku sërish ka fituar kandidati i PS-së. Bektash Nezha mori 1173 vota kundrejt 864 votave të demokratit Mynyr Shehu.
KQZ-ja bëri të ditur se “procesi i numërimit përfundoi brenda një kohe të shkurtër. Procesi zgjedhor ishte transparent dhe me standarte. Cdo shqiptar pati mundësi numërimin online të fletëve të votimit”.
Demokratët garonin me Sotiraq Stratobërdhën, një intelektual nga shoqëria civile, ndërsa socialistët me nënkryetarin e Bashkisë, Sotiraq Filon.
Pjesëmarrja e votuesve ka qenë krahasimisht më e pakët, ndryshe nga zgjedhjet e dy viteve më parë për Bashkinë e Korçës, por edhe nga ato të 23 qershorit.
Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha, deklaroi se pjesëmarrja për qytetin e Korçës ishte 30,9%. Procesi i votimit u zhvillua pa incidente, por nuk munguan akuzat dhe kundërakuzat nga ana e të dy shtabeve elektorale.
Sipas shtabit të Partisë Demokratike në Korçë, kandidati Sotiraq Filo i PS ka shkelur rëndë Kodin Zgjedhor, duke u bërë presion votuesve në disa qendra votimi në qytet, ndërsa ky i fundit i ka cilësuar akuzat trillime.
I pranishëm në qytetin e Korçës, kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, shprehu shqetësimin për praninë mbrëmë deri vonë, të qeverisë dhe jo vetëm asaj, por edhe forcave të shumta të policisë, me bllokim rrugësh.
“Nuk po them që është e jashtëligjshme, por ishte një farë presioni jo normal, për një qytet me kulturë dhe të qetë si Korça”, theksoi Paloka.
Kandidati i majtë për Bashkinë e Korçës, Sotiraq Filo, ka mohuar akuzat e deputetit demokrat, Edi Paloka, se ka pasur presion nga qeveria dhe policia në Korçë.
“Nuk është e vërtetë, – u shpreh Filo, – pasi nuk ka asnjë qeveritar nga qeveria e PS të bëjë presion në qendrat e votimit”.
Gjatë pasdites, kur kishin mbetur edhe pak orë nga përfundimi i votimit, nuk munguan deklaratat edhe nga deputetët demokratë, Majlinda Bregu dhe Eduard Selami.
Pas votimit të ish-kryebashkiakut dhe dy garuesve, PD ka nisur një valë deklaratash, përmes të cilave ka apeluar që të ruhet standardi, por nuk kanë munguar as akuzat.
Ndërsa deputeti Gjergji Papa, njëherazi kryetar i degës lokale të PD në Korçë, hodhi akuza se zv/kryeministri Peleshi po shkel Kodin Zgjedhor.
Pak përpara mbylljes së procesit të votimit, PD ka hedhur dyshime edhe mbi blerjen e votave. Në KZAZ-në numër 71, në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla” në Korçë, do të kryhet proçesi i numërimit të votave.
Ndërpritet përkohësisht numërimi në Korçë
Është ndërprerë për pak çaste numërimi i votave në KZAZ-në 71 të Korçës, ku numërohen votat e hedhura gjatë së dielës në favor të Sotiraq Filos e Sotiraq Stratobërdhës, për kreun e ri të Bashkisë, pas kalimit të ish-kryebashkiakut Niko Peleshi në postin e zv/kryeministrit.
Bllokimi erdhi si pasojë e mospërputhjes së kodeve në njërën prej kutive, pikërisht atë ku kishte votuar zv/kryebashkiaku në detyrë i Bashkisë Korçë, Filo. Megjithatë numërimi ka rinisur më pas, teksa kutia e kontestuar do të dërgohet për shqyrtim në KQZ.
***
Në garën për dy kandidatët, socialistin Sotiraq Filo dhe demokratin Sotiraq Stratobërdha janë të regjistruar si votues rreth 71 mijë korçarë, por deri në orën 16:00 pjesëmarrja ka qenë rreth 23%.
Deri në mesditë votuan të dy kandidatet, të cilët i bënë thirrje elektoratit korçar të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, duke kontribuar për të ardhmen e qytetit të tyre.
Ne lidhje te drejteperdrejte, nga Korça, korrespodentja jone informoi edhe per nje prezence te emigranteve, ndonese ne proporcione te reduktuara krahasuar me zgjedhjet e 23 Qershorit.
Sipas raportimit, mbi 200 emigrante jane kthyer ne Korce per te marre pjese ne keto votime.
Top Channel