Obama: Al Kaeda në Irak, ende aktive

02/11/2013 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri iraken Nouri al Maliki
kanë diskutuar se si të kundërveprojnë ndaj aktivizimit të Al Kaedës në
Irak.

Por, në përfundim të takimit në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama nuk bëri publik asnjë detaj për bisedimet e zhvilluara. Ai theksoi vetëm rëndësinë për një Irak demokratik dhe gjithëpërfshirës.

Nga ana tjetër, vizita e zotit Maliki në Uashington, e para që prej vitit 2011, vjen në një kohë kur gjakderdhja në Irak ka qenë më e larta në pesë vitet e fundit.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas takimit nga Shtëpia e Baradhë, si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Iraku flisnin për një nevojë urgjente për ndihmë shtesë për trupat irakene.

“Delegacioni iraken theksoi dëshirën për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane, gjë që tregon angazhimin për përforcimin e bashkëpunimit afatgjatë me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në komunikatë.

Zoti Maliki raportohet se ka kërkuar helikopterë ushtarakë të tipit “Apache” dhe pajisje të tjera nga Uashingtoni, por zoti Obama nuk foli për ndonjë ndihmë të tillë.

Edhe kryeministri iraken nuk i sqaroi detajet e kërkesës së tij për asistencë amerikane, por tha se takimi i së premtes kishte qenë shumë pozitiv.

Pas bisedimeve kokë më kokë, zoti Obama u tha gazetarëve: “Për fat të keq, Al Kaeda vazhdon të jetë aktive dhe së fundmi është bërë edhe më aktive”.

“Prandaj ne kishim shumë gjëra për të diskutuar, për mënyrën se si të punojmë së bashku për të zmbrapsur organizatën terroriste që vepron jo vetëm në Irak, por edhe përbën një kërcënim serioz për gjithë rajonin dhe Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Obama.

Presidenti tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Iraku të miratojë një ligj zgjedhor, në mënyrë që irakenët të diskutojnë qëndrimet e tyre politikisht dhe jo përmes dhunës.

Por disa zyrtarë amerikanë thonë se zoti Maliki i ka injoruar thirrjet e Uashingtonit për t’u dhënë minoriteteve një rol më të madh në qeverisje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB