Iran, ushtria: Amerika, e keqja e madhe

02/11/2013 00:00

Në prag të 34-vjetorit të uzurpimit të ambasadës amerikane në Teheran,
ngjarje e ndodhur më 4 nëntor të vitit 1979, Forcat e Armatosura
iraniane kanë sulmuar me deklarata Shtetet e Bashkuara.

Ata kanë shpërndarë një deklaratë ku nënvizojnë se parulla “Vdekje Amerikës” do të ngrihet ditën e hënë, në Ditën kombëtare kundër arrogancës globale.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë Satanai i Madh dhe armiku numër një i kombit iranian”, thuhet në deklaratën e Selisë Qendrore të Forcave të Armatosura.

Nga ana e tyre, Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan për të reduktuar sanksionet e vendosura ndaj Iranit, pavarësisht diskutimeve mbi programin bërthamor që u zhvilluan muajin e kaluar në Gjenevë.

Sekretari amerikan i Thesarit, Jacob Lew, për emisionin “Meet the Press” të NBC i quajti këto diskutime të parakohshme.

“Është e parakohshme të flasim për lehtësimin e sanksioneve. Mendoj se sanksionet po japin rezultat, prandaj filluan bisedimet. Duhet të sigurohemi se iranianët po ndërmarrin hapat për t’u larguar nga armët bërthamore. Duhet të shohim prova konkrete. Nuk do të heqim dorë nga sanksionet deri sa të ketë veprime nga Irani”, tha Lew.

Ndërkohë, një raport i publikuar një javë më parë nga Instituti i Shkencës dhe Sigurisë Kombëtare në Uashington sugjeroi se Iranit mund t’i duhet edhe një muaj për të ndërtuar bombën atomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB