Përgjimet, Kerry: NSA gaboi në disa raste

01/11/2013 00:00

Sekretari i Shtetit, John Kerry bëhet zyrtari më i lartë amerikan që komenton drejpërdrejtë skandalin e përgjimeve që ka shkaktuar zemërim tek aleatët e Uashingtonit në Europë.

“Ju siguroj që nuk ka asnjë abuzim me personat e pafajshëm në gjithë këtë proces, me gjithatë e pranoj, në disa raste, përgjimi ka shkuar shumë larg. Por ne kemi ndaluar rrëzimin e avionëve, kemi ndaluar hedhjen në erë të ndërtesave, kemi shmangur vrasjen e njerëzve të pafajshëm dhe kjo vetëm sepse ishim në gjendje të zbulonim planet para se të zbatoheshin”, tha kryediplomati amerikan.

Më tej, Kerry shtoi se do të punojë me presidentin Obama në mënyrë që të parandalohen aktet e pahijshme të Agjencisë së Sigurisë së Brendshme, NSA në të ardhmen.

Deklarata e Kerry mbërrin në të njëjtën kohë kur harta e përgjimeve është zgjeruar dhe në të janë përfshirë edhe vendet e Azisë.

“Sydney Morning Herald” shkruan në një artikull se ambasadat e Australisë në vendet e Azisë Juglindore janë përdorur nga agjentët e agjencice të inteligjencës amerikane si baza për përgjimet me dijeninë e plotë të Kanberrës.

Si bazë e përgjimeve amerikane janë përdorur selitë diplomatike australiane në Xhakarta, Bangkok, Hanoi, Beijing dhe Kuala Lampur. Pak orë pas publikimit të këtij lajmi Indonezia thërriti ambasadorin australian në vend duke i kërkuar ata shpjegime mbi cështjen në fjalë.

“Ne nuk mund të pranojmë dhe protestojmë fort ndaj lajmit se ambasada amerikane në Xhakarta është përdorur si bazë përgjimesh. Nëse konfirmohet, kjo nuk është vetëm një shkelje e sigurisë kombëtare, por edhe një shkelje e rëndë e normave dhe etikës diplomatike”, deklaroi Ministri i Jashtëm indonezian, Marty Natalgawa.

Lidhur me përfshirjen e Australisë në këto përgjime ai tha se të tilla aktivitete nuk reflektojnë marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve fqinje dhe qeveria e Indonezia i cilëson si të papranueshme të tilla aktivitete.

“Sydney Morning Herald” shkruan se si bazë e përgjimeve është përdorur edhe ambasada amerikane në Pekin. Mbi këto raportime kanë reaguar zyrtarët e Ministrisë së Jashtme kineze që kanë kërkuar menjëherë shpjegime nga Uashingtoni.

“Ne kërkojmë sqarim të menjëhershëm nga Shtetet e Bashkuara mbi raportimet në fjalë dhe kërkojmë që selitë diplomatike të vendeve të tjera në Pekin të respektojnë marrëveshjen e Vjenës”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme kineze.

Dokumentet e fundit që tregojnë për përgjimet amerikane janë publikuar nga ish-kontraktori i CIA-s, Eduard Snouden, i strehuar përkohësisht me statusin e azilantit në Rusi. Ai kërkohet nga Shtetet e Bashkuara për publikim të paautorizuar të dokumenteve sekrete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB