Kerry viziton Arabinë, pas tensioneve diplomatike

01/11/2013 00:30

John Kerry, Sekretari amerikan i Shtetit, do të udhëtojë drejt Arabisë Saudite, ku do të takohet me mbretin saudit Abdullah, duke pasur për synim zbutjen e tensioneve diplomatike mbi Sirinë dhe Iranin.

Kerry, i cili pritet të nisë një tur 9-ditor në Lindjen e Mesme dhe Europë ditën e shtunë, do të vizitojë gjithashtu edhe Jeruzalemin, Bethlehemin, Jordaninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ka bërë të ditur Departamenti i Shtetit gjatë së enjtes.

Kerry do të “diskutojë mbi çështje rajonale dhe bilaterale të rangut të gjerë” me Abdullah si dhe do të “riafirmojë natyrën strategjike të marrëdhënieve SHBA-Arabi, duke pasur parasysh rëndësinë e punës mes dy vendeve tona mbi sfidat e përbashkëta”, deklaroi zëdhënësja e DASH, Jen Psaki.

Vizita në Riyadh nga kryediplomati amerikan vjen pas një valë ankesazh jo të zakonshme publike, nga anëtarët udhëheqës të familjes sunduese në Arabi, që reflektojnë frustrimin e Mbretërisë arabe me SHBA-të për shkak të mosveprimit të perceptuar të tyre në Siri, angazhimin diplomatik të tyre me Iranin dhe indiferencën në lidhje me qeverinë ushtarake në Egjipt.

Arabia Saudite refuzoi e irrituar një vend prej anëtari jo të përhershëm në Këshillin e Sigurisë së OKB-së në fillim të këtij muaji, duke akuzuar OKB-në për “standarde të dyfishta” mbi luftën në Siri dhe pika të tjera shqetësuese në një sulm të paparë diplomatik.

Polonia është gjithashtu në itinerarin e këtij udhëtimi, teksa Kerry do të diskutojë çështjet e mbrojtjes me zyrtarët e lartë polakë në kryeqytetin Varshavë, thuhej më tej në deklaratën e DASH.

Kerry do ta mbyllë udhëtimin në Afrikën Veriore, me ndalesat në Algjer dhe Rabat, ku do të takohet me ministrin e Jashtëm algjerian, Ramtane Lamamra, dhe ministrin e Jashtëm maroken, Salaheddine Mezouar.

Udhëtimi i Sekretarit amerikan të Shtetit, nga 3 deri në 11 nëntor, vjen përgjatë konfliktit të vazhdueshëm në Siri, një procesi të paqartë paqeje mes Izraelit dhe Palestinës dhe një zhurme të madhe mbi aktivitetet e survejimeve amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA