Gjibraltar, tension mes Britanisë e Spanjës

01/11/2013 15:35

Britania e Madhe do t’i paraqesë një protestë me “notat më forta” qeverisë spanjolle, pas një incidenti ushtarak që ndodhi në ujrat territorialë të Gjibraltarit.

Ministria Britanike e Mbrojtjes akuzoi të premten Spanjën për shkeljen e integritetit territorial nga ana e një motobarke patrulluese të Rojes Bregdetare, e cila “manovroi në një mënyrë provokuese dhe të rrezikshme në afërsi të luftanijeve mbrëtërore”.

Asnjë e shtënë paralajmëruese nuk u qëllua në këtë incident.

Megjithatë, u regjistrua një përplasje pa pasoja midis motobarkës spanjolle dhe një motobarke të policisë së Gjibraltarit, një territor formalisht autonom, pjesë e kurorës së Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas të përditshmes “Gibraltar Chronicle”, motobarka spanjolle “Rio Tormes” lundroi shumë pranë një luftanije britanike, pasi shkeli një kordon sigurie që ndan territorin.

Marinarët e destrojerit “HMS Scimitar” urdhëruan shkelësin që të largohej nga zona, por motobarka spanjolle refuzoi që të bënte diçka të tillë, duke bërë që britanikët të vendoseshin në gatishmëri luftarake.

Madridi zyrtar nuk është shprehur ende në lidhje me këtë incident.

Prej disa muajsh, Gjibraltari është shndërruar në një objekt tensioni midis Spanjës dhe Britanisë, që kanë çuar vendet në një seri përballjesh diplomatike.

I shumëvlerësuar strategjikisht për afërsinë gjeografike që ka me Afrikën dhe ngushticën që ndan Detin Mesdhe nga Oqeani Atlantik, Gjibraltari mbetet pjesë e Britanisë falë një traktati paqeje të nënshkruar 300 vjet më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA