Avionët pa pilot vrasin kreun e talebanëve

01/11/2013 00:00

Një sulm me avionë të telekomanduar ka lënë të vdekur Hakimullah Mehsud, liderin e talebanëve të Pakistanit, në Uaziristanin verior, në kufi me Afganistanin, bëjnë të ditur burime nga Pakistani.

“Mund të konfirmojmë se Hakimullah Mehsud është vrarë nga sulmi me dronë”, tha burimi i “Al Jazeera”-s të premten.

Sipas korrespondentit të tyre në Islamabad, edhe talebanët e Pakistanit kanë konfirmuar vdekjen e Mehsud. “Kjo që ndodhi mund të rezultojë në një ndryshim të rregullave të lojës”, tha ai.

Katër zyrtarë të sigurisë kanë konfirmuar gjithashtu vdekjen e tij për agjencinë e lajmeve “Reuters”.  Edhe truproja e shoferi i tij personal janë mes viktimave të sulmit, thanë ata.

“Mes të vdekurve, të cilët janë një numër i madh, janë truproja personale e Hakimullah, Tariq Mehsud, dhe shoferi i tij, Abdullah Mehsud, dy nga njerëzit më të afërt të tij”, tha një burim i inteligjencës.

Dronët lëshuan 4 raketa në një bazë në Danda Darpa Khel, një fshat rreth 5 km nga kryeqyteti i Uaziristanit Verior, Miranshah, duke lënë të vdekur të paktën 4 persona, thanë burimet.

Rajoni është një nga 7 prej rajoneve tribale gjysmë-autonome përgjatë kufirit afgan, të cilën Uashingtoni e konsideron të jetë një nga qendrat më të mëdha të talebanëve dhe grupeve të lidhura me al-Qaeda-n, të cilët ideojnë sulmet ndaj Perëndimit dhe në Afganistan.

Mehsud u vra pasi mori pjesë në takimin e 25 liderëve të talebanëve, për të diskutuar mbi ofertën e qeverisë për bisedime, thanë ata. Sipas korrespondentëve të huaj, funerali i tij pritet të bëhet të shtunën në Miranshah.

Si lider i talebanëve të Pakistanit, Mehsud ishte njeriu më i kërkuar në Pakistan, për të cilin SHBA-të kishin vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për kapjen e tij. Ai besohej të ishte rreth të 30-ave.

Sulmi amerikan mund të kontribuojë për të tensionuar marrëdhëniet e Uashingtonit me Pakistanin, pasi kryeministri Nawaz Sharif i kërkoi presidentit Obama që të ndalin këto lloj bombardimesh në një takim të realizuar gjatë muajit të shkuar në Shtëpinë e Bardhë.

Hakimullah Mehsud u shndërrua në lider të talebanëve pakistanezë në vitin 2009, pasi paraardhësi i tij, Baitullah Mehsud u vra në një sulm të avionëve pa pilotë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB