Turqi, rikthehet ferexheja në Parlament

31/10/2013 20:25

Katër ligjvënëse turke u paraqitën me ferexhe në seancën e së enjtes të Parlamentit Turk, diçka që nuk ndodhte që prej vitit 1999.

Deputetet ishin anëtare të Partisë Drejtësi dhe Zhvillim të kryeministrit Erdogan, një forcë që ka në rrënjët e saj doktrinën e “islamit politik”.

Muajin e shkuar, Turqia modifikoi ligjin, duke e bërë të lejueshme mbajtjen e perçes në një numër institucionesh fetare.

Ligji i ndalimit të perçes ishte një prej çështjeve më të debatuara politike në dekaden e fundit midis partive që përkrahin shtetin laik dhe atyre që favorizojnë të drejtën islamike.

“Nuk do ta heq më ferexhenë time”, deklaroi Gonul Bekin Sahkulubey, një prej katër ligjvënësve që ndërmorrën të parat këtë hap, citoi gazeta “Milliyet”.

“Shpresoj që të gjithë të respektojnë vendimin tim”, shtoi ajo.

Disa shoqata të femrave përkrahën nismën e ligjvënëseve, duke e konsideruar paraqitjen e tyre me perçe në Parlament si një hap të mëtejshëm në normalizimin e mbajtjes së shamisë islamike.

Megjithatë, Partia Republikane Turke, forca më e madhe e opozitës akuzoi qeverinë e Erdoganit se me këto hapa në favor të islamismit po minon traditat laike të Turqisë moderne.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA