Konstituohet Aleanca e Grave Deputete

31/10/2013 00:00

Në ambientet e sallës së seancave plenare sot u bë konstituimi i grupimit të grave parlamentare “Aleanca e Grave Deputete”. Gratë deputete të PS, PD dhe LSI zgjodhën unanimisht zonjën Mesila Doda kryetare të këtij grupimi parlamentar.

Këtë takim e përshëndeti edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, si dhe përfaqësues të OSBE-së në Shqipëri, të cilët e mbështetën këtë nismë që nuk ka qenë aktive gjatë këtyre viteve. Zoti Meta siguroi mbështetjen maksimale të Kuvendit dhe administratës së tij për funksionimin e punës së kësaj aleance.

Ndërkohë, vetë deputetet theksuan se ato do të luajnë një rol të rëndësishëm dhe aktiv, përtej dallimeve politike për çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të grave, në rritjen dhe respektimin e rolit të gruas në Parlament, respektimin e kuotës gjinore në listën e kandidatëve në iniciativa të përbashkëta gjinore e ligjore, që përmirësojnë cilësinë e jetës së grave dhe vajzave në vendin tonë.

Shumë shpejt grupi do të formalizojë një rregullore të brendshme dhe një kod etike. Grupimi Parlamentar i Grave në Kuvendin e Shqipërisë u themelua në vitin 1995 dhe funksionoi deri në 2005.

Top Channel