Disa qindra sirianë, në tentativë për t’i shpëtuar luftës civile janë kthyer në kufi nga Jordania, lajmëroi të enjten “Amnesty International”.
Midis të kthyerve përfshihen shtetas palestinezë e irakenë që kanë qenë rezidentë në Siri dhe që nuk kishin me vete dokumentat përkatëse të identifikimit.
“Amnesty” e konsideroi si të “papranueshme” kthimin e personave, të cilëve i kërcënohet jeta në një vend të përfshirë nga një luftë e përgjakshme.
Megjithatë, autoritetet jordaneze mbrohen duke thënë se ata vazhdojnë ta mbajnë të hapur kufirin për refugjatët sirianë.
Zëdhënësi i qeverisë jordaneze, Mohammed al-Momami theksoi për “BBC” se nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimit zyrtar të Amanit mbi çështjen e refugjatëve, pavarësisht kostos që po i shkakton vendit lufta civile në Siri.
“Refugjatët që mbërrijnë në kufirin tonë lejohen të hyjnë në vend, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe pozicionin historik të Jordanisë për të garantuar siguri për të gjithë ata që e kërkojnë këtë”, komentoi al-Momami.
Nga rreth 2,5 milionë refugjatë lufte të pranuar zyrtarisht, 515 mijë prej tyre jetojnë në kampe apo kushte të tjera strehimi në Jordani, një vend me vetëm 6 milionë banorë.
716 mijë refugjatë sirianë llogariten në Liban, 460 mijë në Turqi, 169 mijë në Irak, 111 mijë në Egjipt, ndërsa 4,25 milionë figurojnë si të zhvendosur brenda vetë Sirisë.
Top Channel