Avionët izraelitë goditën një bazë ushtarake në afërsi të Latakias.
Lajmi u bë publik nga CNN, që citon një zyrtar të administratës amerikane, i cili kërkoi ruajtjen e identitetit.
Nuk është e qartë se kur ka ndodhur sulmi, duke iu referuar disa raportimeve, të enjten apo të mërkurën.
Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në një depo raketash, por sulmi nuk është konfirmuar nga qeveria izraelite.
Zëdhënësja e Forcave Izraelite të Mbrojtjes i tha CNN-it se “nuk i referohemi raportimeve të huaja”.
Sipas zyrtarit të administratës amerikane, shënjestra ishin raketat, të cilat mund t’i dërgoheshin grupit militant Hezbollah, në Liban.
Izraeli është akuzuar edhe herë të tjera gjatë këtij viti, për kryerjen e sulmeve brenda Sirisë, siç ndodhi në janar.
Sipas një zyrtari amerikan, avionët ushtarak izraelitë bombarduan një karvan makinash, që dyshohej se po i transportonin armë Hezbollahut.
Grupi militant shiit, që ndodhet në Liban, ka ndihmuar ushtrinë siriane kundër kryengritësve.
Bashar al-Assad, presidenti i Sirisë, i përket sektit alavit, një degë e shiitëve, ndërsa kryengritësit apo militantë të tjerë që luftojnë trupat siriane janë kryesisht muslimanë sunitë.
Top Channel