“Facebook”, të ardhurat rriten me 60% prej publiciteteve

31/10/2013 02:50

Gjigantët e rrjeteve sociale “Facebook” kanë raportuar një rritje me 60% të të ardhurave, deri në 2,02 miliardë dollarë, në tremujorin e tretë të këtij viti, duke gjeneruar fitime prej 425 milionë dollarë.

Të ardhurat nga publicitetet janë rritur me 66% deri në 1,8 miliardë dollarë, teksa gjysma e tyre kanë ardhur prej publiciteteve nga telefonat celularë.

“Rezultati i fuqishëm që arritëm këtë tremujor, tregon se ne jemi të përgatitur për fazën e ardhshme të kompanisë sonë”, tha Mark Zuckerberg në një njoftim. Aksionet e “Facebook” u rritën me 15% në tregje në orët në vijim.

Aksionet e kompanisë pothuajse janë dyfishuar në vlerë që prej muajit korrik, kur “Facebook” njoftoi një rritje të madhe në të ardhurat prej fushatave publicitare nëpër celularë.

Kompania ka bërë një shtysë të bashkërenduar për të rritur ofertën e saj “mobile”, teksa bën të ditur se tashmë më shumë se 874 milionë përdorues, nga mbi 1 miliardë në total, e përdorin “Facebook”-un përmes telefonave të tyre.

Duke folur nëpërmjet një tele-konference, Zuckerberg e quajti “Facebook”-un një “kompani telefonike” dhe theksoi se më shumë se gjysma e njerëzve e përdorin atë vetëm nga celularët e tyre. “Është një shenjë thuajse e pabesueshme, se si Facebook ka evoluar si kompani”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA