Rusi, të tjera akuza për opozitarin Navalny

30/10/2013 03:15

Hetuesit rusë kanë bërë të ditura akuza të reja kundër liderit të opozitës, Alexei Navalny, teksa ai dhe vëllai i tij akuzohen për larje parash. Më herët, gjatë këtij muaji, afati 5-vjeçar i burgimit për përvetësim u reduktua në një dënim me kusht në Apel.

Alexei Navalny u bë lider i një lëvizjeje protestuesish në rrugë, ndërsa doli i dyti në garën për zgjedhjet bashkiake në Moskë. Ai i konsideron hetimet kriminale ndaj tij si të motivuara politikisht.

Hetuesit rus akuzojnë tashmë Alexei dhe Oleg Navalny për mashtrimin e një dege në Rusi të kompanisë kozmetike franceze, “Yves Rocher”, me rreth 26 milionë rubla (apo 811 mijë dollarë). Sipas tyre, vëllezërit Navalny kanë mashtruar gjithashtu një kompani ruse, “MPK”, me rreth 4 milionë rubla (apo 125 mijë dollarë).

Një tjetër akuzë ndaj vëllezërve Navalny është ngritur për pastrimin e 21 milionë rublave (656 mijë dollarë) në fonde të ndryshme. Akuzat, nëse rezultojnë të vërteta, kanë një ndëshkim prej maksimumi 10 vjet burgim.

Alexei Navalny i përshkroi akuzat e fundit si “të pakuptimta”. Në një intervistë për radion “Ekho Moskvy”, ai tha se ky ishte një mesazh nga autoritetet ruse se, nëse njerëzit devijojnë nga linja e tyre, “atëherë qeveria ju terrorizon”.

“Është absolutisht e pakuptimtë që aktivitetet tregtare, të cilat vëllai im i ka kryer përgjatë 3 viteve të fundit pa ndonjë ankesë ndaj tij, papritur na rezultojnë se janë mashtrime”, tha ai.

Navalny u bë i njohur fillimisht përmes një blogu, ku denonconte korrupsionin, të cilin e identifikonte me Vladimir Putin, teksa ky i fundit kthehej si president i Rusisë vitin e kaluar, si dhe aleatët e tij. Ai ndihmoi në organizimin e një vale protestash në rrugë pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit 2011, të cilat u karakterizuan nga raportime për abuzime.

Fajësimet e fundit vijnë vetëm pak ditë, pasi një gjykatë ruse pezulloi dënimin prej 5 vitesh të dhënë ndaj Alexei Navalny në korrik. Ndërkohë që verdikti i Apelit e la atë si një njeri të lirë, dënimi në vetvete u la në fuqi, gjë që nënkupton se atij nuk i lejohet të garojë për poste zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA