Izraeli avancon në operacionin tokësor në Liban, IDF jep urdhrin për evakuimin e plotë të banorëve Kremlini apo Shtëpia e Bardhë? Revista “Forbes” heq pikëpyetjen dhe e vendos vëmendjen në kryeqytetin e Rusisë kësaj herë, nga ku nxjerr dhe njeriun më të pushtetshëm të botës: ai është Vladimir Putin.
Është hera e parë në tre vjet, që presidenti amerikan zbret në vendin e dytë të listës. Pas tyre është edhe udhëheqësi kinez, Xi Xhinping. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, zbret – pas shumë vjetësh – në vendin e pestë, pasi vendin e katërt e ka zënë Papa Françesku.
I gjashti Bill Gates, i shtati Ben Bernanke, presidenti në ikje i Rezervës Federale, i teti Abdullah Bin Abdull Aziz Al Saud, mbreti i Arabisë Saudite, më i vjetri. Është 89 vjeç. Më i riu është krijuesi i Facebook, Mark Zukerberg, 29 vjeç, në vendin e 24.
Në 10 vendet e para të renditjes së “Forbes” është edhe Mario Dragi, kreu i Bankës Qendrore Europiane. Klasifikimi i më të mirëve mbyllet me kreun ekzekutiv të supermarketeve “Wal-Mart”. Në vendin e 11 renditet David Kameron, shumë më lart se homologu francez, Francois Hollande (18).
Përzgjedhja e Putinit, nga revista prestigjioze “Forbes”, vjen në kohën kur marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë goditur nga lufta civile në Siri.
Putin ka dominuar skenën politike ruse për 12 vjet dhe u rizgjodh në mars të 2012-s. Presidenti amerikan, Barak Obama, në anën tjetër, kaloi një periudhë të vështirë 16-ditore, pas mbylljes së pjesshme të qeverisë federale, e shkaktuar nga kriza e buxhetit dhe kriza e borxhit në Washington.
Në listën me 72 emra, janë 17 krerë shtetesh, 27 administratorë të deleguar apo presidentë të kompanive të mëdha dhe 12 prej tyre janë sipërmarrës. Mes tyre është edhe Sep Blater, president i FIFA-s.
Më poshtë lista e 10 personave më të fuqishëm në botë sipas “Forbes”:
1) Vladimir Putin. 61-vjeçari konsolidoi pushtetin e tij absolut në Kremlin. Pavarësisht nga pretendimet se Rusia është një vend demokratik, me pushtete të ndara, në Moskë gjithcka kontrollohet prej tij, që nga drejtësia, ekzekutivi, politikat e jashtme madje edhe mediat.
2) Barack Obama. Shefi i Shtëpisë së Bardhë, 52-vjeç, zbret nga froni i personit më të fuqishëm në botë dhe për këtë ndoshta duhen falenderuar republikanët që me qëndrimet e tyre bllokuan apo mbajnë akoma bllokuar disa prej politikave të tij.
3) Xi Jinping. Në muajt e parë të këtij viti “trashëgoi” pushtetin nga Kongresi i Partisë Komuniste në vendin me ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe me fuqinë ushtarake gjithnjë e në rritje. Detyra i jep kompetenca të zgjeruara, praktikisht gjithcka në Pekin që lidhet me politikat ekonomike, politikën e jashtme apo atë ushtarake kalon nga dora e tij.
4) Papa Francesku. U zgjodh pas dorëheqjes së papritur të paraardhësit të tij, Papa Benedikti XVI. Në mesazhet, aktivitetet dhe takimet e ditëve që pasuan tregoi, se ndryshe nga paraardhësi preferon të jetë më afër shtresës së varfër. Fitoi zemrat e besimtarëve katolikë sidomos me qëndrimin e tij kundër priftërinjve që jetojnë mes luksit.
5) Angela Merkel. Kancelarja gjermane, që fitoi një mandat të tretë në zgjedhjet e fund-shtatorit, mbetet në listën e personave më me peshë në botë. Diti të mbajë Gjermaninë thuajse të paprekur nga kriza financiare, e për më tepër Berlini nën drejtimin e saj u shndërrua në lider të politikave financiare në gjithë Eurozonën.
6) Bill Gates. Padroni i Microsoft mbetet njëri prej personave, jo vetëm më të pasur, por edhe më të pushtetshëm falë produkteve të kompanisë së themeluar prej tij.
7) Ben Bernanke. Kreu i “Federal Reserve” (Banka Qendrore Amerikane) ka luajtur rolin kryesor në “dramën” e nxjerrjes së vendit nga kriza ekonomike. Politikat stimuluese të këtij institucioni, që ende vazhdojnë, dhanë rezultatin e tyre, por gjithcka mund të minohet falë ngërçit politik në Kongres për buxhetin.
8) Abdullah bin Abdul Aziz Al. Mbreti i Arabisë Saudite në duart e të cilit janë të përqendruara të gjitha pushtetet. Pasuria e pamasë me naftë e ia lehtësojnë detyrën për të qenë në listën e personave më të pushtetshëm në botë.
9) Mario Draghi. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane. Ai së bashku me bordin drejtues të këtij institucioni dhe falë marrëveshjeve të 28 vendeve të BE-së që kanë rritur kompetencat në politikat financiare në favor të BQE-së, është njeriu kyç nga ku nisin thuajse gjithë politikat e rimëkëmbjes, sidomos të Eurozonës.
10) Michael Duke. President i “Wal-Mart”, kompania numër një në botë e shitjeve, aq sa thuhet se “Wal-Mart” mund të falimentojë me mijëra kompani të tjera në mbarë globin vetëm duke vendosur që të mos shesë më. Me më shumë se 2.2 milion punonjës, në 2012 vlera e saj kapi shifrën marramendëse prej 470 miliard dollarësh. Për të kuptuar pushtetin e tij mjafton të përmendet që në fund të shtatorit, ai udhëhoqi një grup prej 20 biznesmenësh në Shtëpinë e Bardhë për t’i kërkuar presidentit Obama rritjen e tavanit të borxhit.
Top Channel