Izraeli liron grupin e dytë, 26 palestinezë

30/10/2013 02:40

Izraeli ka liruar pjesën e dytë nga 4 grupet e premtuara, prej 26 të burgosurish palestinezë, si pjesë e marrëveshjes për rifillimin e bisedimeve të paqes me Palestinën. 5 prej tyre u liruan në Gaza, ndërsa 21 të tjerët u dërguan në Bregun Perëndimor.

Të liruarit kanë qenë të dënuar për vrasje dhe kishin kryer nga 19-28 vite burgim deri më sot. Zyrtarët izraelitë dhe palestinezë rifilluan bisedimet e drejtpërdrejta në Jeruzalem, në gusht, pas një ndalese 3-vjeçare.

Sipas korrespondentëve të huaj në Bregun Perëndimor, të liruarit atje shihen si të burgosur politik dhe heronj të kauzës palestineze, por ky vendim i liderëve izraelit ka shkaktuar pakënaqësi mes popullit të Izraelit.

Palestinezët e liruar gjatë mëngjesit të së mërkurës u dërguan nga burgu Ofer në Izrael, drejt pikave të kalimit kufitar Erez, me Gazën, dhe Beituna, me Bregun Perëndimor.

Në Gaza kanë shpërthyer fishekzjarret, teksa ish-të burgosurit kanë udhëtuar me një autokolonë, ndërsa në Bregun Perëndimor, të burgosurit e liruar u dërguan në Ramallah, ku presidenti palestinez Mahmoud Abbas iu adresua një turme të madhe.

Abbas tha se grupi tjetër i të burgosurve do të lirohet brenda 2 muajve, teksa bëri thirrje për lirimin e të gjithë palestinezëve. “Nuk do të ketë asnjë marrëveshje përfundimtare, nëse nuk lirohen të gjithë të burgosurit”, tha ai.

Ai mohoi gjithashtu zërat se një marrëveshje për lirimin e të burgosurve është bërë me mirëkuptimin që Izraeli të vazhdojë të ndërtojë blloqe të reja banimi.

Lirimi i grupit të dytë të të burgosurve ka shkaktuar tensione brenda koalicionit qeverisës në Izrael, teksa partitë e ekstremit të djathtë janë përpjekur pa sukses ta ndalonin këtë proces. Vetëm pak pas lirimit të tyre, media izraelite raportoi se qeveria ka shpallur projektin për ndërtimin e 1500 shtëpive të reja në Jeruzalemin lindor, pikërisht në kompleksin Ramat Shlomo.

Lëvizja shihet si një përpjekje për të zbutur vijën e ashpër të qeverisë. Bisedimet mes Izraelit dhe Palestinës u pezulluan në 2010-n, pas skadimit të ngrirjes së përkohshme nga Izraeli të rindërtimit të blloqeve të banimit.

Vetëm njëri prej të liruarve të fundit ishte burgosur për vrasje, të shkaktuar përpara nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes në Oslo 1993. Isa Abed Rabbo ishte dënuar për vrasjen e 2 studentëve, teksa ata po ushtronin sportin e hiking-ut në jug të Jeruzalemit, në tetor 1984.

Një listë e të burgosurve u publikua 48 orë përpara lirimit të tyre, në mënyrë që t’u lejohej familjarëve të viktimave të apelonin këtë vendim në Gjykatën Supreme të Izraelit, por kjo gjykatë refuzoi apelimin e bërë nga një organizatë e të afërmve të viktimave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA