Një stuhi e fuqishme që ka përfshirë veri-perëndimin e Europës ka lënë të paktën 13 viktima, 6 prej të cilëve në Gjermani.
Dy persona humbën jetën kur makina e tyre u përplas me një pemë të rrëzuar në Gelsenkirchen, në Gjermaninë perëndimore. Dy fëmijë ishin në të, duke mbetur të plagosur.
Në Brittany, në perëndim të Francës, një grua u rrëmbye nga dallgët e detit, ndërkohë që në Amsterdam të Holandës një pemë e rrëzuar nga era bëri që një grua të përfundonte në një kanal.
Erërat me shpejtësi rekord prej 191 km/h kanë pushtuar gjithë Detin e Veriut, teksa shumë trena kanë anuluar udhëtimet e tyre brenda dhe përqark Londrës, si dhe në veri-perëndim të Gjermanisë.
Të paktën 50 fluturime janë anuluar në aeroportin “Schiphol” të Holandës, ndërkohë që media gjermane ka raportuar për disa vonesa në aeroportet e Hamburgut dhe Dyseldorfit.
Në Gjermani, një peshkatar dhe një marinar mbetën të vdekur, në dy aksidente të ndryshme në det. Duke përfshirë incidentin në Gelsenkirchen, 4 persona janë vrarë në Gjermaninë veri-perëndimore, gjatë rënies së pemëve mbi automjete, raporton Agjencia Mediatike Gjermane (DPA).
Ndërprerja e energjisë elektrike ka goditur mbi 42 mijë shtëpi në veri të Francës, ndërkohë që në Belle-Ile (Brittany), një grua ra në det nga një shkëmb. Stuhia kaloi përmes Brittany dhe Normandisë mëngjesin e së hënës, duke shkaktuar rrëzimin e pemëve dhe mungesë të energjisë elektrike në shumë zona.
Në Britaninë e Madhe, të paktën 600 mijë shtëpi kanë mbetur pa drita, edhe pse më vonë ato u rikthyen në disa zona.
Në Kent, në juglindje të Anglisë, një vajzë 17-vjeçare u godit nga një pemë e rënë mbi dhomat e rimorkiueshme, ku familja e saj jetonte për shkak të punimeve për rikonstruksionin e shtëpisë së tyre.
Një burrë dhe një grua kanë vdekur nën rrënoja, teksa një rrëzimi i një peme shkaktoi një shpërthim gazi në Hounslow, në perëndim të Londrës.
Situata ka bërë që të ndërmerren masa edhe në vendet skandinave, përfshi këtu Danimarkën, Suedinë, vende këto të lagura prej Detit të Veriut.
Top Channel