Një sulm nga ajri në jug të Somalisë ka lënë të vrarë dy komandantë të lartë të grupit militant islamik, al-Shabab, bëjnë të ditur rezidentët për BBC.
Sulmi shkatërroi mjetin, me të cilin po udhëtonin militantët, nga Jilib
në Barawe, teksa kjo e fundit konsiderohet si një bazë e rëndësishme e
al-Shabab.
SHBA-të ndërmorën një sulm të dështuar në Barawe në fillim të këtij muaji, për të kapun një komandant të al-Shabab, i cili është grupi kryesor i lidhur me al-Qaeda-n në Afrikën Lindore.
Një burim i ushtrisë së Kenias tha për BBC se trupat e tyre ushtarake mësynë Jilib-in dhe se sulmi mund të jetë shoqëruar me viktima. Gjithsesi, korrespondentët thonë se është disi e pamundur që ata të kenë ndërmarrë sulmin ajror.
Rezidentët në Jilib, rreth 120 km në veri të portit të Kismayo, thanë për BBC se me shumë mundësi ky ishte një sulm me avionë të telekomanduar, nga i cili mbetën të vrarë komandantët e al-Shabab.
Njëri prej viktimave ishte një ekspert i lartë i eksplozivëve për al-Shabab, i njohur gjithashtu si Anta, tha një anëtar i grupit për “Associated Press”.
“Dëgjova një zhurmë të madhe këtë mbrëmje dhe pash një dron që zhdukej në qiell. Të paktën 2 militantë kanë vdekur”, është cituar të ketë thënë Hassan Nur, rezident, për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
“Pash një makinë Suzuki që ishte përfshirë nga flakët, ndërkohë që shumë prej anëtarëve të al-Shabab u gjenden menjëherë në vendngjarje. Vura re se ata arritën të merrnin trupat e pajetë të dy viktimave”, tha ai.
“Ishte një raketë e fuqishme që lëshoi droni, shumë makina ishin duke ecur përpara meje, por droni shënjestroi vetëm Suzuki-n”.
Të paktën 67 persona mbetën të vdekur muajin e kaluar, kur rebelët e al-Shabab pushtuan qendrën tregtare “Westgate” në kryeqytetin e Kenias, Nairobi.
Top Channel