SHBA, një vit nga uragani Sandy

29/10/2013 00:00

Shtetet e Bashkuara bëjnë një vit që kur superstuhija “Sandy” goditi brigjet lindore duke vrarë 117 persona. “Sandy” ishte stuhija më shkatërruese e verifikuar në SHBA që prej uraganit “Katrina” në vitin 2005.

Ditën e hënë, Ellis Island, pika historike e referimit të emigrantëve, u hap për herë të parë që kur stuhija përmbyti zonat e ulëta në qytetin e Nju Jorkut.

Por shumë komunitete vazhdojnë të luftojnë për të rindërtuar banesat e tyre, me ankesat se fondet e emergjencës nuk kanë arritur në zonat më të prekura.

Deri në gusht, vetëm çereku i 48 miliardë dollarëve të caktuar për rindërtimin kanë mbërritur tek qeveritë lokale, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Autoritetet federale kanë njoftuar plane për një raund të dytë riparimi që arrin në 5 miliardë dollarë për pesë shtete dhe qytetin e Nju Jorkut dhe kanë deklaruar se përdorimi i tyre do të nisë së shpejti.

“Të gjithë jemi dakord se për një vit ndihma rrodhi shumë ngadalë. Por viti i dytë do të jetë shumë më i mirë. Rubinetet janë hapur”, deklaroi senatori demokrat Chuck Schumer për gazetarët.

I dërguari i BBC, Nick Bryant thotë se brigjet e Nju Xhersit dhe Nju Jorkut i kanë ende të freskëta plagët e “Sandy”, me shtëpitë e boshatisura e të rrënuara, ku banorët kalonin pushimet dhe me bizneset përreth të mbyllura.

Shumë pronarë po luftojnë për të marrë pagesat nga kompanitë e siguracioneve, ndërsa të tjerë po presin për të zbuluar nëse do të marrin dëmshpërblim nga qeveria për pronat e dëmtuara, që tani janë të pabanueshme.

“Do të duhen vite për t’u rindërtuar. Ne nuk duhet të vuajmë kështu një vit pas ngjarjes”, thotë Aimam Youssef, që humbi shtëpinë e tij në Midland Beach të Staten Island.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB