Senati: Rishikim operacioneve të përgjimit

29/10/2013 00:00

Komiteti i Shërbimeve të Inteligjencës në Senatin Amerikan njoftoi nisjen e një hetimi të gjërë mbi operacionet e përgjimit të agjencive të inteligjencës.

Kryetarja e këtij Komiteti, Diane Feinstein deklaroi se përgjimi i udhëheqësve të vendeve mike ishte një gabim. Ajo tha se kishte marrë zotimin e Shtëpisë së Bardhë që të tilla përgjime do të ndalojnë, por zyrtarë të lartë të administratës thanë për BBC se deri më tani nuk ka asnjë ndryshim në politikat amerikane të përgjimit.

Presionet po shtohen mbi Shtëpinë e Bardhë për të shpjeguar veprimet e Agjensisë Amerikane të Sigurisë kombëtare dhe përse presidenti Barak Obama nuk ka qenë sipas gjasave, në dijeni të shtrirjes së operacioneve të përgjimeve.

Vetë Obama në intervistën e dhënë rrjetit kabllor amerikan “Fusion”, e shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë kur gazetari e pyeti nëse kishte qenë i informuar për përgjimin e celularëve të disa liderëve botërore.

“Ka ca ligje shumë të rrepta përsa i takon veprimtarisë tonë brenda kufijve dhe ky ishte shqetësimi kryesor që buroi nga disa prej publikimeve të Snoudenit. Në plan ndërkombëtar ka më pak kufizime mbi mënyrën se si operojnë ekipet tona të inteligjencës, por e kam thënë që përpara rrjedhjes së informacionit të Snoudenit, se është e rëndësishme për ne të sigurohemi që me zhvillimin e teknologjisë, duhen zgjeruar edhe kapacitetet tona të kundërzbulimit”, tha Obama.

Megjithatë, ai shtoi se operacionet do të rishikohen në mënyrë që aftësitë teknike përgjuese të NSA-së të mbahen nën kontroll. Skandali i përgjimeve ka shkaktuar zemërim në radhët e shumë vendeve europiane. Por BE-ja i konsideron dy gjëra të ndara aktivitetet e spiunazhit të organeve sekrete amerikane dhe biznesin.

Vetë kancelarja Angela Merkel, telefoni i së cilës rezulton i përgjuar prej një dekade, e bëri të qartë se bisedimet e marrëveshjes së tregtisë së lirë me SHBA-në duhet të vazhdojnë pavarësisht cështjes me NSA-në. Ky është mendimi edhe i të gjithë 28 kryetarëve të shteteve dhe qeverive që morën pjesë në samitin e Brukselit. Zëdhënësi i Merkelit konfirmoi të hënën në Berlin se tregtia e lirë është më e rëndësishme se indinjata ndaj përgjimit të telefonave celularë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB