Agjencia shtetërore e lajmeve në Libi ka njoftuar se disa persona të armatosur kanë vjedhur 54 milionë dollarë, pas një sulmi ndaj një fugoni, i cili transportonte monedha vendase dhe valute drejt Bankës Qendrore të Libisë.
Dhjetë persona ndaluan fugonin sapo kishte hyrë në qytetin e Sirte-s nga aeroporti. Transportimi i të hollave do të bëhej rreth 500 km larg kryeqytetit libian të Tripolit.
“Grabitja është një katastrofë për të gjithë Libinë”, tha Abdel-Fattah Mohammed, kreu i këshillit të Sirte-s, në një prononcim për “Reuters”. Libia ka vuajtur një periudhë mos sundimi të ligjit, që prej luftës civile të vitit 2011.
Qeveria e Libisë e ka pasur të vështirë të kontrollojë një vend të tejmbushur me milici të armatosura, grupe banditësh dhe islamikë radikalë.
Raportimet e së hënës tregojnë se vetëm një mjet sigurie i ishte vendosur për mbrojtje automjetit me të holla. Rojet e sigurisë “e kishin të pamundur t’u rezistonin 10 agresorëve”, raportoi LANA, agjencia shtetërore e lajmeve.
Rreth 53 milionë dinarë libianë u grabitën, së bashku me rreth 12 milionë dollarë amerikanë dhe euro. Dy banka në Sirte janë sulmuar nga grabitës në korrik, tha një zyrtar i qytetit për agjencinë e lajmeve “AFP”. Sulmuesit arritën të largoheshin atëherë me rreth 500 mijë dinarë libianë, shtoi ai.
Sirte ishte bastioni i fundit që mbështeste kolonel Muammar Gaddafi, në konfliktin që çoi në rrëzimin e tij. Gjithsesi, qyteti ka pasur një valë dhunë disi më të kursyer që prej asaj kohe.
Top Channel