Kinë, hetime për shpërthimin në Tienanmen

29/10/2013 00:00

Policia në Kinë ka identifikuar dy të dyshuar në lidhje me “incidentin madhor” të ndodhur të hënën në Pekin, ku një makinë u përplas dhe shpërtheu në sheshin Tienanmen.

Lajmin e bën të ditur media shtetërore kineze. Automjeti u përplas me turmën dhe mori flakë, duke vrarë pesë persona.

Policia menjëherë pas ngjarjes shpërndau njoftime në hotelet e Pekinit, duke kërkuar informacione për dy persona nga provinca Xinjiang, raportuan mediat.

Në njoftime flitej për një automjet dhe katër numra targe nga Xinjiang, provinca veri-perëndimore ku jeton pakica ujgure, ajo myslimane dhe turkofone e ku janë verifikuar disa incidente të dhunshme.

Agjencia shtetërore “Xinhua” njoftoi se nga pesë personat që humbën jetën të hënën, tre prej tyre ishin brenda makinës, ndërsa dy të tjerët ishin turistë. Ndërkohë, 38 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Policia izoloi vendin e ngjarjes, në fundin verior të sheshit, në një nga hyrjet e Qytetit të Ndaluar, bashkë me një stacion metroje dhe një rrugë.

Një ekip i BBC që tentoi të xhironte pamje nga vendi i ngjarjes u ndalua përkohësisht, ndërsa në mediat sociale kineze fotot nga skena u fshinë dhe komentet u çensuruan. Deri tani nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare për shkaqet e aksidentit.

Gazeta shtetërore “Global Times” njoftoi se kishte konfirmim nga policia e Pekinit se lajmi ishte i vërtetë, pavarësisht se policia nuk e komentoi “çështjen madhore”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA