Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmoi 10 rastet e para të prekjes nga poliomiliti në Siri.
Këto janë rastet e para të regjistruara në vendin e rrënuar nga lufta civile 30-mujore në 14 vjet.
Njëkohësisht, OBSH dha alarmin se sëmundja vdekjeprurëse e pashërueshme, por e parandalueshme, mund të përhapet me ritme alarmuese nëse nuk do të veprohet në kohë.
Pothuajse të gjithë të prekurit janë foshnje të pavaksinuara, si rrjedhojë e kolapsit të sistemit shëndetësor në Siri.
Ministria Siriane e Shëndetit Publik lajmëroi se ka nisur një hetim të gjerë, por ekspertët frikësohen se për shkak të luftës civile do të jetë e vështirë të dokumentohen të gjithë rastet dhe aq më keq, të ndërhyhet në zonat ku janë përqendruar luftimet.
Sipas OBSH-së, do të jetë e pamundur që të kryhet një fushatë vaksinimi në shumë qytete, të cilat bombardohen me artileri në mënyrë të vazhdueshme.
Për shkak të luftës, numri i fëmijëve të lindur pas 2010-s të vaksinuar ka rënë në vetëm 45% të totalit.
Përpara luftës, 95% e popullsisë ishte e vaksinuar.
Situata përkeqësohet edhe më shumë duke pasur parasysh që një të tretat e të gjithë spitaleve në vend janë mbyllur, ndërsa edhe spitalet në funksionim vuajnë nga mungesa kronike medikamentesh.
Poliomiliti është një sëmundje vdekjeprurëse, e cila mund të parandalohet, por jo të shërohet pas shfaqjes së saj.
Top Channel