Egjipt, atletit i hiqet “e arta”, doli pro Morsit

29/10/2013 05:05

Një kampioni të sportit të “Kung Fu” në Egjipt i është hequr medalja e artë, pasi shfaqi mbështetjen e tij për presidentin e rrëzuar Momammed Morsi, bën të ditur familja e tij.

Mohammed Youssef është përjashtuar gjithashtu nga përfaqësimi i vendit të tij. Youssef u fotografua në një turne në Rusi duke veshur një bluze me simbolin e solidaritetit ndaj protestuesve pro-Morsi.

Qeveria e Egjiptit ka sulmuar shpesh herë mbështetësit e ish-presidentit, pasi e rrëzuan këtë të fundit me anë të një grushti shteti ushtarak, më 3 korrik.

Vëllai i Youssef, Hammam, tha se atleti është dërguar në shtëpi shumë më herët se të garonte, si dhe u mor në pyetje nga policia sapo mbërritu, raportojnë korrespondentët e huaj në Kajro. Medalja e artë e fituar prej tij u konfiskua.

Media shtetërore shfaqi foton e tij duke marrë medaljen, teksa kishte veshur bluzen e pikturuar me pëllëmbën e hapur dhe 4 gishtat, simboli i një kampi të mbështetësve të Morsi-t, i cili u pastrua me forcë nga autoritetet vendase.

“Sportisti i Kung Fu, Mohammed Youssef, do të deportohet nga Rusia për shkak të sjelljes së tij”, tha shefi ekzekutiv i Federatës së Kung Fu, Gamal El-Jazzar, për “Ahram Online”. “Ai do të përjashtohet gjithashtu nga përfaqësimi i Egjiptit në kampionatin botëror të Kung Fu, në vijim”.

Ende është e paqartë nëse pezullimi do të jetë përfundimtar, por këto masa ndëshkimore ngrejnë shqetësime në lidhje me lirinë e shprehjes në Egjipt, nën drejtimin e qeverisë së re të mbështetur nga ushtria.

Ndërkohë, prokurori i shtetit të Egjiptit ka urdhëruar një hetim ndaj ankesave të një satiristi televiziv popullor, Bassem Youssef, pasi u tall me shefin e ushtrisë, gjeneral Abdul Fattah al-Sisi, në programin e tij të parë të sezonit të ri, të premten.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA