Bursë islamike në Londër

29/10/2013 15:50

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, pritet të shpallë gjatë së martës vendimin e qeverisë për ngritjen e bursës së parë islamike në një vend jo-musliman.

Sipas “BBC”, deklarata e Cameron do të realizohet gjatë Forumit Ekonomik Islamik Botëror që po zhvillohet në Londër.

Bursa Islamike do të jetë një degë nën mbikqyrjen e Bursës së Londrës.

Gjithashtu, Britania do të shndërrohet në vendin e parë jo-musliman që do të lëshojë bono thesari islamike.

Pritet që kjo lëvizje të kontribuojë për përthithjen e më shumë investimeve nga vendet arabe.

Në bazë të ligjit islamik, bankat nuk mund të kërkojnë interesa për kreditë apo planet e biznesit të financuara prej tyre.

Mënyra se si këto banka bëjnë fitimet e tyre është nënpërmjet bashkëpronësisë në formë aksionesh dhe ndarjes së fitimit në sipërmarrjet e ngritura.

Transaksionet gjithashtu kushtëzohen nga lloji i aktivitetit të biznesit, me kompanitë e pijeve alkoolike, basteve apo kazinotë që përjashtohen nga financimi pasi janë të ndaluara nga sheriati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA