
Policia e Shtetit do të publikojë gjendjen e rendit dhe sigurisë publike në vend çdo muaj në një bultein të posaçëm. Buletini i muajit tetor, që i referohet periudhës 17 shtator-17 tetor, tregon për një evidentim të 80 veprave penale çdo ditë.
Një shifër e lartë jo vetëm për evidentimin e tyre, por edhe sasinë e krimeve që kryhen në territorin shqiptar çdo ditë. Shifra e lartë e arrestimeve i referohet personave në kërkim. Të paktën 187 prej tyre u arrestuan sipas policisë gjatë këtij muaji, 15 prej të cilëve ishin në kërkim ndërkombëtar.
Lista e arrestimeve njeh rritje në kubën e saj edhe në fushën e narkotikëve dhe të trafiqeve. 180 të arrestuar, nga të cilët 8 per trafik droge dhe 99 të tjerë për prodhim të tyre është një shifër tjetër e lartë e regjistruar nga policia shqiptare.
Krimi ekonomiko-financiar arriti shifrën e 284 personave të proçeduar, por kjo i përket e gjitha aksionit “Fund Marrëzisë”, i cili çoi edhe në shkrirjen e plotë të sektorit të antikrimit ekonomik nga ministri i Brendshëm për rezultate të dobëta në të kaluarën.
Por, ajo që mbetet sërish e lartë është shifra e krimit kundër jetës dhe shëndetit të personit. Me plot 262 raste të tilla, mes të cilave katër janë vrasje, ky lloj krimi mbetet sërish një problematikë për policinë shqiptare.
Ajo që mbetet tepër e lartë është zbulueshmëria e krimit në nivelin 93 për qind. Këtë buletin policor edhe ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri e ka parë në dy plane, të vlerësimit dhe kërkesës ndaj policisë.
Ministri i Brendshëm, në një letër të hapur ndaj publikut, tha se u sekuestruan 3.6 kg heroinë dhe se u proçeduan vetëm dy raste të trafikut të femrave, gjë që tregon se duhet që Policia e Shtetit të rrisë efikasitetin në këtë fushë.
Por atë që minsitri i Brendshëm e sheh si një rritje të besimit të publikut në muajin e fundit është fakti se Policia e Shtetit u telefonua në numrin 129 plot 13 mijë e 273 herë.
Ndërkohë që në gjykimin e tij, qarku Tiranë ende nuk e ka fituar plotësisht këtë besim për shkak se raporti i njoftimeve, krahasuar me gjendjen e sigurisë dhe rendit publik, nuk është në atë të duhurin.
Duke iu referuar numrit të lartë të aksidenteve këtë muaj dhe hartën e vendndodhjes së tyre, ministri i Brendshëm njoftoi se është bërë anlizë për të ulur numrin e tyre në muajt në vazhdim.
Tabela:
Proçeduar 2455 autorë të dyshuar
Arrestuar 441 persona
Në gjendje të lirë 1836 persona
Evidentuar 2560 vepra penale
Zbulueshmëria 87%
Top Channel