Ç’do të bëhet me çështjen “Dajti”?

25/10/2013 00:00

Procesi ndaj Dritan Dajtit dështoi sërish, pavarësisht kërkesave të gjykatës për gjetjen e një avokati për të pandehurin më të rëndësishëm të Krimeve të Rënda.

Shkresa e radhës i është dërguar sërish këtë të premte nga Gjykata e Krimeve të Rënda këshillit të Dhomës Kombëtare të Avokatise, ministrit të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe që ka gjasa që sërish të mos marrë përgjigjje.

Gjykata e Krimeve të Rënda replikon me refuzimin e Dhomës së Avokatisë, e cila nuk pranoi javën e kaluar që të gjente një avokat për Dajtin, me argumentin se kjo është një çështje e gjyqësorit dhe se Dhoma ka vendosur në dispozicion të gjykatës një listë të avokatëve.

Në shkresë thuhet se kjo përgjigjje është jokorrekte dhe nuk përmbush detyrimet ligjore, pasi është ky këshill që duhet të caktojë nje avokat kur i pandehuri braktiset.

Është e vërtetë, thuhet në shkresë, se listat nga komuniteti i avokatisë janë dërguar në fillim të çdo viti, por në këto lista të dhënat nuk ishin të mjaftueshme dhe këto mangësi nuk u plotësuan në asnjë rast nga Dhoma e Avokatisë.

Avokatët kryesisht nuk kanë patur në asnjë rast adresat e zyrës në mënyrë që të realizohej njoftimi proçedurial i tyre dhe në shumë raste numri i telefonit të avokatëve ka qenë i pasaktë, madje në një rast në listën e vitit 2012 rezultoi se një mbrojtës kishte ndërruar jetë para tre vitesh.

Por referuar këtyre listave, thuhet në shkresë, na ka rezultuar edhe që disa avokatë e kanë lënë profesionin prej kohësh. Tashmë, asnjë zyrtar i drejtësisë nuk di të thotë se çfarë do të bëhet me këtë proces gjyqësor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB