Transportonte me automjet 7 emigrantë për kalim të paligjshëm të kufirit, arrestohet në Morinë 31-vjeçarja Përse Këshilli i Lartë i Drejtësisë është 8 vjet me vonesë në vlerësimin
e gjyqtarëve, në një kohë që ligji përcakton qartë vlerësimin e tyre
periodik, jo më pak se cdo tre vjet?
Zëvendëskryetari i KLD-së Elvis Çefa, gjatë një interviste për Top Channel rradhit dy argumente për këtë debat; së pari, sepse paraardhësi i tij Kreshnik Spahiu bashkë me KLD-në e mëparshme nuk ka punuar mjaftueshëm; së dyti, sepse vlerësimi i gjyqtarëve konsiderohet një proces kompleks që kërkon kohë.
“Eshtë një i vërtetë fakti që KLD, aktualisht është në procesin e vlerësimit të gjyqtarëve për vitet 2005-2006. Për fat të keq është një situatë, të cilën unë të tillë e gjeta, trashëguar nga paraardhësit e mi. Megjithë detyrimin ligjor për të kryer këtë vlerësim të gjyqtarëve, KLD, gjatë mandatit të shkuar nuk kishte bërë asgjë për ta përfunduar këtë punë. Sigurisht është marrë një vendim për ta nisur si proces, por ky proces ishte katandisur vetëm në vlerësimin e 16 gjyqtarëve. Në më pak se një vit ne kemi arritur të vlerësojmë nga 16 gjyqtarë, 191 gjyqtarë”, tha Çefa.
Por cili është qëndrimi i Çefa për zërat në rritje për reformë në KLD?
“Jemi gati të diskutojmë dhe të japim secili kontributin tonë në mënyrë që këto reforma të shkojnë aty ku duhet të shkojnë, të shkojnë në shëndoshjen e sistemit, të shkojnë në rritjen e pavarësisë dhe të eficensës të sistemit gjyqsor. Nëse një vullnet i tillë ekziston, jemi krejtësisht të hapur për bashkëpunim” tha Çefa.
Top Channel: Ju jeni për reformë në KLD, eficensë dhe transparencë…
Çefa: Sigurisht, edhe në mënyrën e funksionimit dhe organizimit të KLD-së ka mundësi që të ketë përmirësime të dukshme, që sigurisht kërkojnë ligj dhe këto nuk janë sekret. Janë çështje që ne edhe zyrtarisht i kemi kërkuar paraprakisht, në Ministrinë e Drejtësisë në mënyre që të merren në konsideratë në një moment eventual kur ligji për KLD të futet në kalendarin e ndryshimeve.
Nga ana tjetër, Çefa e shikon debatin në tryezën e KLD-së si normale, por vijimin e saj edhe jashtë godinës e konsideron si ndërhyrje të politikës.
“Mosmjaftimi me lënien e këtij debati në nivelin e ministrit si anëtar i KLD-së, normalisht që për ne dedukton që ka një tendencë nga politika për të ndërhyrë në punët e përditshme të KLD-së dhe këtë sigurisht ne nuk mund ta lejojmë”, tha Çefa.
Zëvendëskryetari i bashkohet propozimit të kreut të KLD-së, presidentit Bujar Nishani për shkrirjen e Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë dhe lënien vetëm të Inspektoriatit të KLD-së.
Top Channel