48 orë pas përmbytjes, qindra familje në periferi të Tiranës vazhdojnë të jetojnë në kushte tejet të vështira.

Vërshimi i ujërave të lumit të Tiranës ka përmbytur 694 banesa dhe rreth 1000 familje që jetojnë në njësinë bashkiake numër 11 në kryeqytet, ndërsa janë prekur edhe mbi 50 biznese.

“Shi ka rënë edhe herë të tjera, por lumi nuk ka dalë asnjëherë nga shtrati i tij. Na janë dëmtuar bizneset që mezi i kishim ngritur”, thonë banorët.

Banorët e përmbytur kërkojnë ndihmë financiare nga ana e shtetit në mënyrë që të mund të sigurojnë kushte minimale të jetesës.

“Nuk kemi para të blejmë asgjë për të rregulluar shtëpitë tona, kerkojme ndihme sepse jemi ne kushte shume te veshtira per te jetuar”, thonë banorët.

Familjet e përmbytura i ka vizituar kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili ka kërkuar nga Qeveria shpalljen e gjendjes së emergjencës në këtë zonë, si dhe bashkëpunim për të ndihmuar financiarisht banorët.

“Kemi ngritur 8 grupe për vlerësimin e dëmeve. Uroj që së shpejti edhe organet e Qeverisjes vendore t’i kthejnë sytë nga kjo zonë.Pikësëpari duke e deklaruar emergjencën e pjesshme në këtë zonë dhe së dyti të bashkërendojnë me grupet tona të vlerësimit të dëmit nëpër zonë, me qëllim që dëmi të vlerësohet dhe t’u jepet një ndihmë sado modeste për të vazhduar jetën, të paktën me parametra të pranueshëm”, tha Basha.

Top Channel